Kam një respekt të veçantë për sportistët gjermanë, e rrjedhimisht edhe për popullin.

Nuk presin të arrijnë të dyzetat për t’u pensionuar nga sporti, dhe në momentin e parë që nuk kanë ndonjë pasion për lojën, vazhdojnë jetën pa të.

Nico Rosberg, Katja Seizinger, Marco Reuss, e shumë të tjerë kanë ndjekur këtë shembull, e tash edhe Franziska Preuss.

Ndonëse jo nga biatletet më të mira që ka pasur ky vend, Frani ka pasur njërë nga karrierat më interesante. Debutuese në Olimpiadën e para 12 viteve si 19 vjeçare me medalje ekipore, ajo gjithmonë ka qenë si pjesë e sukseseve ekipore se sa atyre personale.

Megjithatë, në fillim të 30tave, ajo gjeti rrugën drejt titullit të Kupës së Botës, në një konkurrencë të zjarrtë me francezet, siguroi të artën e parë individuale në Botëror vitin e kaluar, dhe tash do të ishte mrekulli të mbaronte karrierën, në garën e fundit, me të artë.

Është mrekulli edhe për shkak të formës më të dobët që po kalon këtë vit, por prapë, sporti është i mbushur me mrekulli, e sidomos starti masiv që është gara e fundit e biatlonit në këtë Olimpiadë, dhe e fundit në karrierë për Preuss, është sot në ora 14:15 në program.

Në ditën e parafundit, gjermanët presin medalje në bob për femrat, me të tri ekipet në garë të ngushtë për titull dhe të tri medaljet.

Sot në program është edhe finalja në kërling për meshkuj, finalet në patinazh të shpejtë, dhe maratona e meshkujve në 50km skijim nordik, dhe mundësia e fundit dhe më e mira që dikush tjetër pos Klaebos të marrë të artën.