Gara e kërcimeve me ski mbrëmë ishte ndër më të mirat në ngjarjet e mëdha viteve të fundit.

Kur gjithmonë pak a shumë tre medalistët vinin nga 4-5 veta favoritë, e fituesit diheshin ndoshta edhe para fillimit të garës, kësaj radhe gjithçka ishte befasi.

Philipp Raimund tregoi formë përgjatë gjithë garës nga kërcimorja e vogël, duke qenë solid edhe në stërvitje, e edhe në dy kërcimet zyrtare. Befasi më e madhe ishte Kacper Tomasiak i cili kthen jetën te një Poloni e harruar pas Malyszit e Stochut. E pastaj, Ren Nikaido ndau vendin e tretë me veteranin e këtij sporti, zviceranin Gregor Deschwanden, i cili gjithmonë ishte në hijen e Simon Ammannit.

Interesante, më shumë se që e prisja ishte kombinim alpin i meshkujve, që doli të jetë më pak i befasishëm, pasi dihet dominimi i zviceranëve në këtë disiplinë.

Pa befasi ishte dhe gara në patinazh të shpejtë me holandezet Leerdam dhe Kok në dy vendet e para.

Sot, e martë, 10 shkurt

10:30 Kombimi alpin, femrat (14:00 sllallomi) (RTK1)

Edhe më interesant se i meshkujve pritet të jetë kjo garë, ndonëse amerikanet duhet të jenë favorite të pakontestueshme falë Mikaela Shiffrin e cila zakonisht sjell 1 sekondë përparësi në sllallom.

11:45 Skijim nordik, sprint klasik – meshkujt dhe femrat (Finalja 13:24 femrat, 13:38 meshkujt)

Ndoshta disiplinat më interesante në këtë lloj të skijimit, por fituesit dihen qysh para fillimt – Klaebo te meshkujt, dhe suedezet te femrat.

12:30 Skijim në park – meshkujt (RTK1)

13:30 Biathlon – individual, meshkujt

Gara më e mirë për t’u kuptuar për fillestarët e biatlonit, huq një të shtohet një minutë. Francezët dhe norvegjezët janë favoritë, por njëkohësisht është disiplina me më shumti befasi nëpër gara të mëdha.

18:05 Kërling – çiftet e përziera

Suedia dhe SHBA-ja luftojnë për të artën.

18:34 Luzh – femrat

Gjermanët do të vazhdojnë domnimin.

18:45 Kërcime me ski – ekipet e përziera

Disiplinë që zëvendëson kërcimet ekipore klasike, një ndryshim i panevojshëm.