Pas një dite një ditë relativisht të qetë, ndoshta më e qeta pas asaj finale që do të jetë, vjen e shtuna mbushur me gara finale.
Së pari fillon skijimi alpin me sllallomin e madh, dhe një mundësi që dikush tjetër pos Franjo Von Allmenit të fitojë të artën. Favoritët janë të shumtë, por dy disiplinat teknike kanë qenë të paparashikueshme këtë sezon, dhe ngjashëm do të jetë edhe kjo në Olimpiadë.
Denni Xhepa i Shqipërisë starton me numër 40 nga 81 skitarë, e gara zhvillohet në ora 10:00 e 13:30, të dyja me transmetim në RTK.
Në drekë femrat kanë stafetën në kros kountri me Suedinë dhe Norvegjinë si favorite kryesore në atë që duhet të jetë vazhdim i rivalitetit nordik.
Pas kroseve në snoubord, tash është radha e skijimit të lirë – pra nga një dërrasë në dy ski dalim tash. Në biatlon është sprinti i femrave (14:00, RTK), e garë interesante duhet të jetë ajo ekipore në patinazh të shpejtë të femrave, e bashkë me atë edhe sprinti i meshkujve në 500m.
Por, gara më interesante duhet të jetë ajo e kërcimeve me ski për meshkujt në kërcimoren e madhe.
Siç është bërë zakon së fundmi, dita përfundon me patinazh të shpejtë në shtigje të shkurtra.
E nga dje vlen të përmendim snoubord krosin e femrave që ishte garë interesante deri në fund, si dhe sprintin e meshkujve në biatlon që pati shumë veta që përfunduan pa asnjë gabim në qitje.
Hokeji mbi akull tregoi dallimin e madh që ekziston midis kombëtareve, e patinazhi i shpejtë solli një fitore të rinisë kundër pleqërisë, për dallim te femrat, me Metodej Jilek që mori të artën e Jorrit Bergsma të bronztën, që marrë parasysh moshën është sukses.
Megjithatë, Johannes Hoesflot Klaebo dëshmoi pse është njëri nga më të mirët në këtë sport duke siguruar të artën e tetë olimpike. Nuk është aq i rëndësishëm numri i medaljeve sa disiplinat në të cilat po fiton në këtë edicion.
Derisa më parë fitonte në sprint e stafetë, kësaj radhe ka siguruar të artat në dy disiplina në distancë të mesme – 20km dhe 10km. Sigurisht që garën në 50km e ka pikën më të dobët, ndoshta, por fitorja në kampionatin botëror vitin e kaluar, i jep shpresa për një dominim të pashoq në këtë sport në Olimpiada, ndoshta nga koha e Bjoern Daehlit dhe Marit Bjoergenit.
Me ta ndan rekordin e tetë të artave në olimpiada, të cilës listë i bashkohet edhe Ole Einar Bjoerndalen.
Në këtë listë duhet të jetë vetëm përkohësisht, më së largu deri në garën ekipore që zhvillohet të dielën.

