Larg skenave përvëluese nga Zhadja dhe Lukasi, diku në malet e Brazilit, megjithatë bie borë.

Dhe 34 vite pas debutimit të tyre në Olimpiada Dimërore, brazilianët kanë medaljen e tyre të parë, edhe atë të artë.

Kjo falë Lucas Pinheiro Brathen, i cili shtoi këtë mbiemrin e mesëm pas një viti pauzë nga garat ndërkombëtare kur u “pensionua” nga Norvegjia për shkak të mospajtimeve me federatën e tyre.

Dje, papritur, në disiplinën e tij më pak favorite ai mori të artën në sllallom të madh duke lënë mbrapa edhe Marco Odermattin.

Në disiplinën e saj më pak favorite sot garon edhe Lara Colturi, e cila përfaqëson Shqipërinë, njëkohësisht me shpresën më të madhe për medalje, e cila nëse nuk vjen sot, duhet të vijë të mërkurën kur në program është gara e sllallomit.

Kam frikë se kjo Olimpiadë mund të jetë mundësia e vetme për medalje për Shqipërinë pasi, njëjtë si Lucasi edhe Lara mund të marrë një vit pauzë dhe t’i kthehet mëmëdheut, Italisë.

Kjo pasi ka pasur zëra për këtë muajve të fundit, por si gjithmonë mund të jenë vetëm thashetheme gazetash. Deri atëherë, le të sjellë medaljen e parë për Shqipërinë, dhe fitoren e parë në një garë të Kupës së Botës.

E për Shqipërinë sot në sllallom të madh, nga ora 10:00 &13:30 (RTK), garon edhe Semire Dauti që fillon me numër 57, e në garë është edhe e jona Kiana Kryeziu e cila fillon garën më vonë, numër 72.

Nga garat e sotme në program është stafeta e meshkujve në ora 12:00, të cilën duhet ta fitojnë norvegjezët pasi femrat e tyre morën të artën dje pas një aksidenti të suedezeve. Në program është gara më interesante e biatlonit, ndjekja për meshkuj në ora 11:15 dhe ajo e femrave në ora 14:45 (RTK).

Garuesit startojnë sipas kohës së arritur në garën e sprintit, dhe 10 të parët kësaj radhe janë të gjithë më pak ose rreth 1 minute vonesë, që pritet të ofrojë një garë të ngushtë.

Garë e ngushtë duhet të jetë edhe në kërcime me ski për femra, në kërcimoren e gjatë, e cila fillon në ora 18:45.

Nika Prevc do të provojë të përsëritë suksesin e vëllait të saj nga dje, Domenit, i cili bëri dhe ç’ bëri, e mori të artën në fund me dy kërcime fenomenale.