Më të çmendur se shkrimtarët që krijojnë botë të veten në veprat e tyre janë fansat që në kërkim të një bote paralele, i jepen në tërësi, më tepër se që duhet, kësaj bote.
Një shkrimtar i tillë është Pol Shelldon, i cili shkruan një seri të novelave romantike të periudhës viktoriane me karakterin kryesor të emëruar Misery. Përkundër që ka bërë një vepër nga e cila mjel para, Pol dëshiron të përqendrohet në një literaturë më serioze.
Për të arritur këtë, ai është vendosur në një hotel malor, ashtu si bëjnë shumica e shkrimtarëve, në kërkim të kryeveprës së radhës. Me të përfunduar titullin e ri, ai niset rrugës, dhe moti i keq e shtyn të pësojë aksident.
Fat në këtë fatkeqësi del të jetë Ani, një infermiere e cila thotë se është fansja e tij më e madhe, dhe e cila do të kujdeset deri të shërohet ai e të hapen rrugë.
Si falënderim për kujdesin e saj, Polli i ofron Anit të lexojë manuskriptin e fundit, diçka që ndoshta mund të ndikojë në të ardhmen e veprës, e edhe vetë atij.
James Caan luan rolin e Pollit, e Kathy Bates rolin e fanses në atë që mund të jetë ndoshta roli i karrierës së saj. Që të dy përqafojnë karakterin e tyre për mrekulli, derisa harmonia e tyre skenike nëpër skena me karakter të ndryshëm, përfshirë edhe ato kur nuk ndajnë skenën është fenomenale.
Nën regjinë e Rob Reiner e me skenar të William Goldman, filmi i vendosur në një kasolle malore të bllokuar nga bora i afrohet trilerit me dramë në kufi të horrorit duke ruajtur natyrën jofiktive.
Film shumë i mirë, për fansat e punës së Reiner dhe dramave të viteve ‘80ta. Nota personale: 4/5

