Gjithçka ka nisur me Fiks Fare. Së paku për mua.

Ka qenë emisioni i parë që kam parë gra gjysmë të zhveshura në programe televizive pa skenar. Dhe për një kohë pata hamendësuar çfarë pune ka prania e tyre në skenë derisa Saimiri dhe Doktori flisnin për gjëra që atëbotë edhe nuk i kuptoja mirë.

Pastaj, me kalimin e viteve kam kuptuar edhe më mirë “rëndësinë” e pranisë së tyre në atë program, dhe programe tjera simotra.

Kam kritikuar e jam ankuar gjithë verën e kaluar gjatë Euro2020 pse emisionet sportive për këtë garë gjithmonë ishin “të detyruara” të kishin dikë të bukur çdo natë.

Dhe kjo më së miri tregon mosrespektimin që i bëhet grave sportdashëse në emisionet sportive, dhe jo vetëm.

Kriteri i vetëm i pranisë së një gruaje në studiot e programeve sportive ka qenë dukja e saj e jashtme. Ka pasur disa përjashtime të rralla, dhe kuptohet rastet kur kanë qenë vet sportiste.

E di që në mesin e viteve 2000ta kur Sporti në KTV dhe Sport Plus shtyheshin për të na njoftuar më parë për lajmet sportive, të dyja patën angazhuar nga një grua në redaksitë e tyre të sportit. Tashti nuk më kujtohen emrat, si shumë herë, por mesa e di në KTV ka qenë një ish-basketbolliste e Universitetit, e në RTK një aktore e një seriali familjar më pak të njohur.

Ka qenë një hap fenomenal, por që pastaj u la mënjanë.

Sot, derisa dukja në mediat vizuale ka rëndësi, sepse vet janë ashtu, kjo nuk vlen për meshkujt.

Pra, ekziston një diskriminim që u bëhet vetëm grave. Për të qenë e pranishme një grua në emisionet sportive kërkohet të jetë e bukur. Bukuria nuk i kërkohet një burri sepse ai me gjasë “është i dijshëm” edhe askush nuk brengoset për pamjen e tij.

Më e keqja e këtij rregulli të shthurur është ideja që kinse vajzat që e duan sportin e vet sportistet nuk janë aq të bukura! Më frikshëm, që vajzat e bukura nuk merren me sport, dhe ato që merren nuk janë të bukura.

Kjo është një narrativë që ndërtohet në mediat tona pa pikë marre.

Fajin më të madh e ka Manushi i Proçesit Sportiv, i cili banalizimin e gjuhës shqipe e nis me vendosjen e ç-së në Proces, edhe merr Marinën e cila në vitet e para ka qëndruar vetëm një figurë statike, një kukull që i shërbente Manushit të qetësonte situatën me “po tash, mosni, e kemi Marinën këtu” dhe “Marina, na trego çfarë kemi tash”, duke i dhënë pafytyrësisht rolin e një sekretareje të emisionit.

Ditëve të fundit është paraqitur një rast ku vet një prezantuese thërret dy vajza në skenë prapanica e të cilave përdoret si tupan.

Burg!

Mos të harrojmë as të bëmat e ‘lifecoach’-it që i sillte vajzë vllogerit të njohur në emisionin e tij duke i ofruar ta ndërronte me gruan e tij.

Këta njerëz nuk duhet të shfaqen në televizion më.

Por, ne jemi popull që glorifikojmë të keqen, adhurojmë aktet si këto dhe duam të jemi në vendin e tyre. E më vokalët në mbrojtjen e të drejtave njerëzore heshtin para këtyre sepse sigurisht kanë ndonjë mik a mikeshë që përkrahë këto ide, sepse “kërkush me zor nuk pe shtin”.

E as mos të dal te muzika!Na duhet një kufizim i ‘lirisë së shprehjes’, sepse pas një kohe do të kemi edhe pornografi në televizion. Nejse, diçka të përafërt paskemi pasur veçse para disa muajve, me sa e di!