Ajo çfarë i ndodh Ithën Hantit në filmin e parë të misionit të pamundur do të përsëritet edhe disa herë në filmat pasues, por gjithnjë në ambient e periudha tjera, sigurisht.
Pas një misioni që e le të vdekur dhe tradhtar, Ithëni niset të zbulojë konspiracionin dhe listën e agjentëve tradhtarë për të zbuluar të vërtetën. E në këtë mision, ai si gjithmonë duhet të shmangë edhe agjencinë, edhe armiqtë.
Si filmi i parë në këtë seri, Mission: Impossible karakterizohet për atë që do të bëhet normë e cila në çdo film pasues vetëm sa do të sfidohet për nga ekstremiteti i veprimeve të Tom Cruise.
Me një muzikë të paharrueshme, kemi Tom Cruise që zbret deri pak centimetra mbi dyshemenë e dhomës së sigurisë së CIA-s, që është një nga momentet më tensionuese në film, dhe ndoshta në seri. Por, kemi edhe çaste të tjera legjendare, nga tasi te CD-ja, gjithmonë me tensionin e njëjtë, në nivel që duhet ta ofrojë një film i zhanrit triler e spiun.
Krejt këto bëhen falë regjisë së Brian De Palmas i cili bën një super-punë duke kapur krejt çka duhet të kapet, e duke ndërtuar ngjarjet si duhet deri te momenti shpërthyes i aktit.
Më shkurt, “Mission: Impossible” ishte pika e kthimit në karrierën e Tom Cruise i cili do të kthehej në një aktor i filmave aventurë-aksion, duke lënë mënjanë dramën me të cilën kishte mbërritur famën e deri-atëhershme.
Ndoshta suksesi i këtij filmi ka qenë një shtytje për të bërë këtë zgjedhje Cruise, dhe si rrjedhojë kemi njërën nga franshizat më të mira të këtij zhanri në historinë e kinematografisë. Nota personale: 5/5

