Me gjithë telashet që kanë ndjekur vazhdimin e tretë të Mission Impossible – ndërrimi i regjisorëve për të përfunduar me debutimin e JJ Abrams, ndryshimet në mesin e aktorëve, për të mbetur me Philipp Seymour Hoffman, prapë, filmi ka arritur të ishte një fije shprese pas katastrofës që ishte filmi i dytë në seri.
Filmi, që kthen Ithën Hantin në misione përkundër pensionimit të tij dhe shijimit të jetës private, tash me të fejuarën, Xhulia, e për t’ju vënë në ndjekje dilerit famëkeq të armëve, është më i mirë se paraardhësi, por nëse e shohim nga sot, kur është kryer kjo seri filmash, mund të jetë filmi i parafundit në listë.
Si zakonisht, filmi ka akte e skena senzacionale, shpërthyese, pa harruar njërën nga skenat më të mira në krejt serinë, atë të urës, e cila për dikë mund të jetë tepër e thatë, por në tërësi, si ngjarje, si histori, duket se ka njëfarë boshllëku që nuk plotësohet nga skenat individuale.
Lidhja e Ithënit, si me të fejuarën, si armiqësia me armikun, duket të mos jetë shumë origjinale, natyrale, e besueshme. Nuk ka as mjaft dashuri me të fejuarën, as mjaft inat me dilerin e armëve.
Ashiqare harmonia e Tom Cruise si me Michelle Monaghan, si me Philipp Seymour Hoffman mungon, nuk është në nivel të filmave tjerë. E as regjia e JJ Abrams, i cili përqendrohet në aspektin teknik, por shkëputet tërësisht nga ngjarja.
Por, prapë, atëherë ka qenë film i mirë. Sot, ndër më të dobëtit në krejt serinë e filmave Mission: Impossible. Nota personale: 2/5

