Njëri prej filmave më të mirë të kësaj serie fillon shumë lehtë e thjesht, në një burg rus ku ndonëse Benxhi i hap rrugën për arratisje, Ithëni nuk niset pa qëruar hesapet dhe bërë të veten.
Të veten, Tom Cruise e bën këtu në shumë aspekte, nga ngjitja nëpër ndërtesa, te vrapimet nëpër stuhi shkretëtire, e kërcimet në stilin e njeriut merimangë.
Dhe, për herë të parë ndoshta në krejt serinë, i duhet ndihma e tjerëve.
Në rolet tjera, pos Simon Pegg si Benxhi, vijnë edhe Paula Patton si agjente e re e IMF dhe Jeremy Renner, si operativ i përzier edhe në qeverisje.
Kësaj radhe, Ithëni duhet të parandalojë luftën e tretë botërore pas një sulmi në Rusi ku faji i hidhet amerikanëve. Në arrati dhe pa përkrahje logjistike të zakonshme, ai dhe skuadra duhet të gjejnë të vërtetën dhe të parandalojnë përshkallëzimin, për të cilën gjë përgatiten Kobalti dhe Sabina, me Michael Nyqvist dhe Lea Seydoux.
Filmi, nga fillimi deri në fund është i mbushur me aksion, manovra, e taktika të cilat të mbajnë të përkushtuar në ngjarje dhe të mahnitin me akrobacionet e Tom Cruise.
Mission Impossible: Ghost Protocol, shërben si një urë lidhëse që do të bëhej pastaj ndërmjet tre filmave të parë, dhe atyre pasues, falë një suksesi në të gjitha aspektet, si komercial, ashtu edhe artistik. Nota personale: 5/5

