Nga autori i njërit nga filmat romancë më të mirë ndonjëherë, “Notting Hill,” vjen një film që sjell një romancë më ndryshe, e cila në këtë rast lihet si në plan të dytë.
Te “Morning Glory,” Roger Michell sjell Rachel McAdams në rolin e një producente të një emisioni të hershëm mëngjesi, e cila provon të shpëtojë emisionin, dhe njëkohësisht edhe karrierën e saj.
Është ndër të paktë filma ku Rachel McAdams është ajo që lidh të gjitha karakteret në tregim, si dhe ka një histori anësore, atë me një producent tjetër, të portretizuar nga Patrick Wilson.
Ajo çfarë më ka pëlqyer më së shumti te ky film, por edhe që nuk është befasuese kur e sheh nga kush vjen filmi është që karakteri i Patrick Wilson, Adami, ka një potencial shumë të madh që do të mund të hijezonte edhe karakteret tjera kryesore, sidomos atë të Bekit, të cilën e portretizon Rachel McAdams.
E Beki, pasi nuk merr pozitën e ëndrrave, kthehet në një televizion me një emision mëngjesi pranë anulimit. Për të kthyer fatin e emisionit, asaj i duhet diçka e jashtëzakonshme, dhe këtë e gjen kur vendos të rikthejë në punë, Harrison Fordin, i cili luan Majkun, një gazetar serioz i cili detyrohet të lë jetën e qejfit për t’iu kthyer zanatit të vjetër.
Përkrah Harrison Ford, në rolin kryesor, të koleges së tij vjen Diane Keaton, e Jeff Goldblum është ai drejtori që kërkon shikueshmërinë dhe suksesin nga Beki.
Është film i këndshëm, një dramë e lehtë, me një histori anësore romance. Karakteret kryesore janë të dashura, e edhe aktorët që i portretizojnë ato janë të mira. Nota personale: 4/5

