My Oxford Year (2025)

My Oxford Year (2025)

Filmat e Hallmark janë loçkë!

Aktorë të njëjtë, tema të njëjtë me stinë, dhe gjithmonë fundi i njëjtë e i lumtur!

Edhe ma e mira, nuk zgjasin as 90 minuta!

Është e përkryer për neve që jemi në të 30tat e po shkojmë nga pensioni.

Ndoshta për këtë arsye edhe nuk po mundem të durojë kësisoj filmash si ky që tregon për një grua amerikane e cila e ka siguruar vendin në një firmë të madhe biznesore amerikane, por vendos të studiojë një vit në Oksford edhe atë poezi!

Aty ajo takon një djalë me shqiptim të thellë britanik, simpatik si gjithmonë, flokë pakrehur, dhe plot mister që ta merr mendja do të dalë të jetë nga familja mbretërore, ndonjë dukë a diçka!

Sigurisht që Ana dashurohet në të, dhe si gjithmonë pranë vetes ka një vajzë dhe djalë që me gjasë nuk do të donin t’u paragjykonim gjininë, por siç e thashë, pleqnia nuk na bën merak për këto gjëra.

Për më pak se një orë këta dashurohen, por pa kushte sepse Ana do të kalojë vetëm një vit në Oksford, e djali duket çapkën. Fati i ka bashkuar të dy që të shijojnë këtë vit, mendojnë!

Aq shpejt, aq me nxitim zhvillohet krejt kjo sa që më bëri ta lija filmin në gjysmë. Nejse, gati ta lija, e do të ishte më mirë ta lija sepse pjesa e dytë është bërllok!

Kjo pjesa e parë të nervozon aq shumë sa që pjesa e dytë të bind se ke pasur të drejtë ta urresh këtë film. E në fakt, do të duhej që pjesa e parë të na lidhte që ta donim filmin edhe më shumë në pjesën e dytë.

Kjo nuk ndodh edhe përfundojmë me një film që ndoshta më mirë do të kishte funksionuar si një miniseri! Kështu, është humbje kohe.

E vetmja gjë e bukur nga ky film është balli i Sofia Carson. Gjithçka tjetër është e kotë. Nota personale: 1/5