Gati dhjetë vite pas filmit të dytë, katër kalorësit kthehen edhe për një magji të fundit, në atë që duket të jetë sikur një mbledhje e maturës 10 vite më vonë – asgjë të re por secili provon të tejkalojë tjetrin për aftësitë e tija.

Filmi fillon mirë, interesant – janë disa karaktere të reja që duket të jenë si pasardhës, ose si rivalë të katër kalorësve, me atë që ndoshta është pjesa më intriguese e magjisë në krejt filmin.

Por, nuk vonon shumë dhe kemi Jesse Eisenbergun, që vjen si kërcënim për të drejtat autoriale që bëjnë këta tre të rinj, e më pas vijnë edhe karakteret tjera, në atë që mund të shihet si mision humanitar, kundër një armike të vetme, tregtare diamantesh.

Kundër krejt magjistarëve nga dy filmat e parë, dhe ata tre të rinjtë që shtohen në këtë film është Rosamund Pike me karakterin e vetëm antagonist, e cila ka një fillim bombastik të rrëfimit të saj në këtë film.

Megjithëkëtë, vazhdimi i tretë i Now You See Me, përkundër që sjell emrat kryesor nga filmat e kaluar, nuk ka kurrfarë risie, sado që mundohet të bëjë këtë. Prandaj, mbetet një rrugëtim mbrapa për nostalgjikët dhe fansat e dy filmave të parë, por asgjë më shumë. Nota personale: 2/5