Për dallim prej shumicës së filmave të Terrence Hill e Bud Spencer, te ky film, që si shumica është i vendosur në Floridë, këto dy karaktere e nisin historinë e tyre në këmbë të majtë!
Xhoni (Terrence Hill) ngarkohet me detyrën për të zbuluar personat që po organizojnë baste ilegale diku në Floridë, e që dyshohet se janë Mafia. Në këtë mision, ai kërkon ndihmën e Çarlit (Bud Spencer) një ish-kumarxhi, tash kamionxhi!
Ky partneritet nuk shkon si duhet pasi Çarli nuk është i interesuar t’i kthehet zanatit të vjetër. Për të bindur Çarlin, Xhoni i vjedh kamionin, e shtyn në bela me kumarxhinj derisa të zbulojë një të vërtetë që ishte e papritur për ata dhe për neve si shikues.
Filmi ka shumë më tepër “aksion,” të rrahurat e zakonshme të Bud Spencerit dhe marifetet e Terrence Hill që e bën një klasik të këtij dueti, por e veçanta është lidhja e tyre e ftohtë, shpesh armiqësore, dhe paraqitja e një personi të tretë në krejt këtë mesele.
Është pak më i gjatë se filmat e zakonshëm, por pos aksioneve dhe historisë interesante, ka edhe disa momente komike, kryesisht me mimikë, dhe një fund paksa të papritur. Nota personale: 4/5

