Në vjeshtën e vitit 1963, një veteran i luftës koreane pranon që është i çmendur dhe vendoset në një institucion mental, ku bashkohet me pacientët kundër një infermiere me tipare tiranike.

Ky është përshkrimi i njërit prej filmave më shqetësues që kanë të bëjnë me shëndetin mendor dhe trajtimin e të sëmurëve në çerek shekullin pas Luftës së Dytë Botërore.

Në fakt, stigmë të ngjashme kemi ndaj problemeve të ndryshme të shëndetit mendor që me popullarizimin e mediave sociale dhe ngarkesave që ka sjellë teknologjia në jetën e përditshme vetëm sa janë shtuar.

Nëse i tregon dikujt që ke ankth apo depresion, e të ngjashme që nuk kërkojnë trajtim në një institut të shëndetit mental, ata medoemos të ndërlidhin me këtë. Menjëherë të shohin si më inferior dhe fillojnë një kronometër se kur do përfundosh “në Shtime” (që është edhe një tjetër pjesë stigmë karshi një regjioni, banorët e të cilit janë ndër më të zellshmit që njoh)!

MekMarfi përfundon në institucionin ku qartazi del të jetë më i vetëdijshmi në krahasim me tjerët, dhe rrjedhimisht fillon njëlloj rebelimi karshi infermieres Ratçëd që ka një qasje nënçmuese ndaj pacientëve në këtë spital, të cilët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë.

Dhe kjo luftë e ftohtë e tyre vetëm sa shkon e thellohet duke ndikuar në jetën e të gjithëve në spital, jo vetëm dy personave në fjalë.

Në përgjithësi, filmi kërkon të japë një përgjigje se a ja vlen të jetohet në pozita të caktuara, sidomos kur je i shtypur nga mbarë shoqëria, e që në këtë rast përfaqësohet qartazi nga infermierja në fjalë, që është lidhja e fundit që pacientët kanë me pjesën ‘normale’ të shoqërisë.

Edhe ky është një film goxha i rëndë emocionalisht, sidomos për shumicën e bashkëvendësve tanë të cilët vazhdojnë të jenë injorantë të mëdhenj të problemeve më të thjeshta mendore, e lëre më sëmundjeve që kërkojnë trajtim në spitale psikiatrike. Nota personale: 5/5