Harmonia skenike që kanë Steve Martin, Martin Short, e Selena Gomez është ndër bekimet më të mëdha që ka mundur t’i përjetojë një fans i televizionit. Ashiqare duket se kënaqen gjatë realizimit të kësaj serie, dhe kjo veç çka e bën më të këndshme.

Përkundër treshes, sezoni disi më shumë është i përqendruar te karakteri i Jane Lynch, vrasjen e së cilës provojnë ta zbulojnë, dhe relacionin e saj me Çarlsin, karakterin e Steve Martin, i cili mund të duket se ka më shumë hapësirë, por as Oliveri e Mejbell nuk mbeten mbrapa.

Pas vrasjes së Saz Patakit, tema tjetër ishte realizimi i filmit ku vjen treshja Galifianakis-Longoria-Levy për të portretizuar tri karakteret kryesore në film, dhe falë Zotit që nuk kanë qenë më shumë në plan të parë. Bile edhe më mirë ka qenë historia me banuesit e ndërtesës përballë, jeta e të cilëve del të jetë mjaft e mistershme për të qenë të dyshuar.

Misteri në këtë sezon ka mbetur në nivel, ashtu si edhe realizimi dhe shtjellimi i ngjarjeve.

Ka pasur befasia të mira, shumë të mira, e gjithashtu edhe monologët/dialogët e Çarls me Sazin kanë qenë goxha të thella në raste duke i dhënë pak filozofi këtij sezoni.

I befasuar nga cilësia e këtij sezoni, të katërtit, përkundër skepticizmit tim se seria fillon të plaket e bëhet monotone në këtë numër të sezoneve, disi pres të shoh si do të zhvillohet sezoni i pestë. Nëse arrin të mbetet në këtë nivel, lum na. Nota personale: 5/5