P.S. I Love You (2007)

P.S. I Love You (2007)

Sa ke filluar të jetosh të njëzetat, kokën plotë flokë, mezi pret të dashurohesh përnjëmend, si në filma, edhe të jetosh i lumtur përgjithmonë. E sheh një film, titulli i këndshëm, p.s. të dua, edhe thua, “ah, duhet me kon plot dashni…”

Edhe çfarë dashnie!!!

Dy gjëra janë të sigurta në këtë jetë:

  • Dashuria, vet jeta nuk është për ata që mendojnë shumë
  • Gerard Butler nuk ka filma të këqij

Për të parën mund të mos jem edhe aq i sigurt!

Gerard Butler dhe Hillary Swank janë në rolet kryesore të kësaj romance që ndoshta më ka lanë pa martu (po së paku më ka njoftu me njanin prej bendeve ma të mira në muzikë – The Pogues).

Film nis me një zënkë normale të një çifti, Xherrit dhe Hollit. Pasi pajtohen, kalojmë në skenën e parë ku janë mbledhur në të pame të Xherrit i cili ka vdekur pas një sëmundje të rëndë.

Ashtu siç bëjnë disa nga ne kur më të dashurit tonë ikin nga kjo botë, Holli mbyllet në vete dhe merr kohë për të rifilluar jetën përsëri. Dhe askush s’mund të na shërojë si ata që s’janë më, qoftë edhe vetëm me kujtimet tona.

Holli ka edhe më shumë – planin e Xherrit për të rigjetur veten. Sepse askush si gjysma jote nuk të njeh. Ky plan është vet filmi gjatë të cilit Hillary Swank jep njërën nga performancat më të shkëlqyera të karrierës së saj që atëkohë veçse ishte në maje të botës së filmi.

Zakonisht ju duhet një vit për të tejkaluar dhimbjen e humbjes së një të afërmi. Në ditën e 366 fillon të bëhet më lehtë, jo që kalon. Gjithmonë mbetet aty, si një njollë përreth së cilës mund të ngjyrosim kujtimet të lumtura, që në fund e bëjnë edhe vetë njollën të duket më pak e errët!

Këtë e di edhe Xherri!

Kështu që tri javë pas vdekjes, në ditëlindjen e saj, vjen një tortë e porositur paraprakisht nga Xherri, me letrat që do të pasojnë në intervale të paracaktuar për ta ndihmuar Hollin të jetojë edhe pa Xherrin.

Nuk është romancë e lumtur, por as edhe e pikëlluar. Është mu sikur jeta, gjen të mirën edhe në momentet më të këqija. Kjo e bën ndër romancat më të mira ndonjëherë.

Veç kujdes, mos lejoni të ketë shumë ndikim në juve, sepse 15 vite më vonë mund ta gjeni veten duke shkruar për romanca të premteve, në vend që të jeni jashtë diku me të dashurën tuaj.

Ose hala ma mirë, mund të jeni duke shikuar romancë me të. Nota personale: 5/5

p.s. libri është po aq i mirë, por kurgjo nuk ia kalon duetit të The Pogues me The Duliners – The Irish Rovers