“Po të kqyrin… qeveria ka sistem sekret, makinë që ju spiunon tërë ditën, çdo ditë…”
Veç hyrja e serisë të bën t’i japësh rastin dhe kur e sheh veten të pikëlluar pesë vite dhe 103 episode më pas.
Nuk do të duhej të pritej asgjë më pak nga Jonathan Nolan e JJ Abrams që janë producent, e Michael Emerson që vjen në rolin kryesor pas bashkëpunimit me Abramsin te Lost, ku kishte një rol të “çuditshëm,” sikur këtu te “Person of Interest.”
Te kjo seri, ai luan rolin e Harolldit, një gjeni softueri i cili ka krijuar një sistem për të monitoruar dhe vëzhguar jetën publike me qëllim që të evitojë akte terroriste. Por, ashtu siç thotë në hyrje, qeveria dhe autoritetet nuk merren me raste “të parëndësishme,” që i quajnë.
Për të shpëtuar qytetarët e pambrojtur, Harolldi angazhon një ish-operativ të CIA-s, Xhon Riiz, dhe bashkë fillojnë të reagojnë në mesazhet që u dërgon Makina kur rrezikohet jeta e njerëzve të “parëndësishëm” sipas autoriteteve.
Harmonia skenike e tyre, edhe pse në pamje fillestare mund të duket e çuditshme, është e mrekullueshme, ndoshta për faktin se të dy përshtaten me karakteret si individë. Ky bashkim i dy ekstremeve për të mirën e përgjithshme e bën këtë seri madhështore.
Por, këta nuk janë vetë. Me ta angazhohen edhe “njerëz të parëndësishëm” të policisë, si detektivja Karter edhe detektivi Fasko, e më vonë vijnë edhe dy arsye shtesë, Ruut dhe Sho.
Në këto rolet tjera, nisur nga Riiz e te Show janë Jim Caviezel, Taraji P. Henson, Kevin Chapman, Amy Acker, e Sarah Shahi. Që të gjitha janë si një koktej karakteresh që nuk do të duhej të përshtateshin në një ambient të përbashkët, por Makina i afron, dhe jep një produkt final të jashtëzakonshëm.
“Person of Interest” ka qenë një seri para kohës, e veçantë, me fanbazën e flakët, duke gërshetuar zhanrin dramë, krim, fanta-shkencë, e teknologji. Më e afërta seri që do t’i ngjante mund të them se është “Mr. Robot,” por “Person of Interest” është më dramë, më normale, më afër realitetit.
Sikur “Lost,” është një seri që duhet të shikohet patjetër një herë në jetë, sidomos tash me shpërthimin e inteligjencës artificiale, diçka që kjo seri ka trajtuar një dekadë më herët. Është seri si asnjë tjetër. Nota personale: 5/5

