Në Kaliforninë e viteve 1980ta, më saktë në San Diego, Sheila është një shtëpiake e ngujuar në një martesë të bajatshme. Pasi ka vuajtur përgjatë gjithë jetës me bulimi – ngrënia e tepërt, provon të gjejë ilaçin në sportin e aerobikut.

Burri i saj është një tip liberal, para kohës së tij, i cili merret me probleme jo aq të rëndësishme atëherë, derisa ata kanë një bijë, për të cilën Sheila frikën më të madhe e ka se mund t’i kalojë “çrregullimi” që ka ajo.

Deri këtu po duket dramë, por në fakt ka një nuancë komedie, por jo me të qeshura, sa me rivalitetin që krijon Sheila kur provon të realizojë ëndrrën e saj për t’u bërë një yll i fitnesit. Gjatë kësaj aventure ajo has në shumë udhëkryqe duke e bërë që të zgjedhë ndërmjet punës, shoqërisë, e edhe familjes.

Në rolin kryesor të Sheilas vjen Rose Byrne, me Rory Scovel në rolin e burrit të saj, e gjatë sezoneve rol gjejnë edhe Anna Gunn e Zooey Deschanel.

Më shumë se dramë e komedi, “Physical” mbetet një seri për feminizëm dhe sfidat me jetën që kishte një grua në vitet 1980ta në Kaliforni. Nëpër 30 episode, kjo kthehet edhe më thellë në një rrugëtim personal për karakterin kryesor. Nota personale: 3/5