Rasti fillon të hetojë vrasjen e koleges së tij nga zyra e prokurorisë në Çikago. Gjatë hetimeve, kolegu i tij, Tomi fillon të vërejë disa fakte që shkojnë deri te zbulimi i aferës së fshehtë që Rasti ka pasur me kolegen tashmë të ndjerë.

Nga hetuesi tash ai kthehet në të dyshuar, dhe për të treguar pafajësinë e tij ai angazhon njërin nga emrat më të njohur në këtë zanat në vend.

Për tetë episode, seria e David E. Kelley bazuar në filmin me të njëjtin titull, por e ri-imagjinuar me kohën moderne, ndjek dy kolegë të cilët duan të zbulojnë të vërtetën për humbjen e një bashkëpunëtoreje të tyre, e për njërin më shumë se kaq, por në thelb ndoshta këtu lind urrejtja që kanë mes vete.

Jake Gyllenhaal luan rolin e Rastit, i cili është burrë i martuar me Barbarën (Ruth Negga) dhe kanë dy fëmijë. Jeta e tyre tronditet kur në shtyp fillojnë të qarkullojnë informatat për një implikim të kryefamiljarit të tyre në vrasjen e koleges/dashnores së tij. Peter Sarsgaard është Tomi, e Bill Camp, avokati mbrojtës i Rastit.

Është një dramë legale, e përzier me krim e familje, që falë aktrimit të shkëlqyeshëm të Jake Gyllenhaal, dhe një skenari mirë të thurur ofron mister, dyshime, e paqartësi nga momenti i parë deri në finalen e sezonit.

Seria do të kthehet edhe për një sezon të dytë, por me rast e temë tjetër, pasi në fund do të merrni të gjitha përgjigjet. Nota personale: 4/5