Më e keqja që mund të bëjnë miqtë e familjarët tuaj, pasi të të zgjedhin si nun, kumbarë të fëmijëve të tyre, është të vdesin. Prandaj, kur t’i zgjedhin kumbarët, prindërit duhet të gjejnë dikë që është i aftë të kujdeset për fëmijë, jo i përqendruar për karrierë, e aq më pak të ketë histori ankthi a depresioni!
Por, kush po na pyet!
Njëjtë as Helenën nuk e pyesin motra dhe dhëndri, të cilët kanë zgjedhur atë për kumbarë dhe trashëgimtare të fëmijëve të tyre në rast se ndodh diçka e papritur. Dhe, jo shumë kohë pas ditëlindjes së saj, motra dhe burri i saj vdesin në një aksident trafiku duke lënë jetimë tre fëmijët e tyre.
Pas ceremonive pasuese, Helena dhe Xheni (motra e madhe, me më përvojë, e më familjare) dëgjojnë trashëgiminë e motrës së tyre, e cila, befasisht, tre fëmijët i ka lënë motrës më të papërgjegjshme, Helenës.
Ky fakt i përzien krejt jetën Helenës, e cila nga ëndrra për Parisin mbetet në paralarje, me tre fëmijë për t’u përkujdesur.
Kate Hudson vjen në rolin e Helenës, e Joan Cusack është në rolin e Xhenit, në rol shumë më dytësor edhe krejt ndryshe nga ai i Helenës. Si karakter tjetër i rritur është edhe pastori Dan Parker, të cilin e sjell në jetë John Corbet, i cili pos ndihmës morale, del të jetë edhe një përkrahës romantik për Helenën.
E në rolin e fëmijëve janë Hayden Panettiere e Abigail Breslin, dhe vëllai i saj pa ndonjë karrierë aktrimi, por që të tre nuk kanë ndonjë shumë hapësirë të konsiderueshme në film, pos motrës së madhe.
Filmi është një histori interesante, e veçantë, pak emocionale, por me një kuptim më të thellë, ashtu siç vërehet nga titulli – jeta të godet papritur, dhe të shtyn të rritesh duke rritur fëmijët, si rasti i Helenës.
Është në regji të Gary Marshall, i njohur me punën te “The Princess Diaries,” e “Pretty Woman,” e që bën punë të ngjashme edhe këtu, ndonëse tema është pak më ndryshe. Nota personale: 4/5

