Ratatouille (2007)

Ratatouille (2007)

Gjithçka e ka vendin e saj në kohë, dhe pas atij shkëlqimi fillestar, zakonisht zbehen duke mbetur të pluhurosur në dollapët e historisë.

Kështu, pas blerjes së Pixar nga Disney, mezi pritej produkti i parë i këtij bashkimi të gjigantëve të animacionet. Dhe këtë fat, e mbi të gjitha barrë, e kishte filmi me ndoshta një histori që s’do të duhej të kishte sukses.

Le të jemi të sinqertë – e fundit gjallesë që dikush dëshiron të shohë në kuzhinë është miu!

Por, Brad Bird, i cili bën regjinë dhe skenarin e filmit bazuar në historinë e Jan Pinkavës, pos që shtjellon mjeshtërisht historinë duke e përçuar me një animacion superior, ndoshta të pashoq deri atëherë, sjell njërin ndër filmat e animuar më të dashur deri sot.

Kësaj i ndihmojnë edhe rolet kryesore në film – një djalë që aspiron të bëhet shef dhe një mi me të njëjtën ëndërr. Bashkëpunimi i këtyre do të ishte i pakonceptueshëm edhe për film të vizatuar, por aq mirë harmonizohet historia dhe skenat e tyre, nga e para deri në finale sa që të bën të shijosh filmin ashtu si shijon një ushqim që të kujton fëmijërinë, qoftë edhe ushqim më i thjeshtë.

Patton Oswalt e Petet O’Toole janë në mesin e zërave të këtij filmi, që pos animacionit që të kënaqë sytë, ka edhe skena me batuta, sidomos në pjesën e fundit të filmit, që të bëjnë edhe të qeshësh, pos që të ngrohë me historinë, ashtu si një supë gjeli në një të marte vjeshte me shi kur mungojmë në shkollë për shkak se jemi ftohur dhe po shijojmë filmat e preferuar të vizatuar.

Ratatouille mbërthen gjithçka – ëndrrat, ushqimin, nostalgjinë – që të gjitha në një përmbledhje finale të mrekullueshme. Nota personale: 5/5