Kurrë NBA nuk ka qenë më e kotë.
Shumica e ndeshjeve i ngjajnë pjesës all-star të tresheve, me time-out që zgjasin sa krejt një çerek loje.
Shyqyr që po i kemi këto seritë jodokumentare, që pas Winning Time për historinë e LA Lakers, tash kemi një seri të vendosur në një univers paralel, por që mund të konsiderohet si pasardhëse e Winning Time. Kjo për faktin se historia e Ajlla Gordon është inspiruar nga Jeanie Buss, e cila është edhe producente e serisë “Running Point.”
Pas një rinie të çmendur, Ajlla është angazhuar në punët e vullnetarizmit në skuadrën LA Waves, të cilën e udhëheqin tre vëllezërit e saj.
Kur vëllai president (Justin Theroux) pëson aksident, ai jep dorëheqje për të shkuar në qendër rehabilituese. Në luftën e Sendit dhe Nesit, ai vendos për Ajllan të marr udhëheqjen e skuadrës.
Karakteri i Ajllës, që vjen nga Kate Hudson, është një grua që mu sikur Jeannie Buss, provon të zë vend në botën e pronarëve të skuadrave tjera, të cilët e shohin Ajllën si inferiore.
Me 10 episode nga 30 minuta, “Running Point” sjell një histori brenda një skuadre basketbolli, larg realitetit, por me shumë skena komike dhe zemër-ngrohta derisa Ajlla lufton kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm, e njëkohësisht provon të mbajë jetën e saj private në takt.
Brenda Song, e Max Greenfield – Shmidi i New Girl vijnë në rolet tjera nga emrat që i kam parë më herët, derisa kasti janë të përshtatshëm për rolet që i kanë.
Sezoni i dytë tashmë është porositur, dhe pres të jetë edhe më i mirë se ky marrë parasysh ecurinë e ngjarjeve gjatë këtyre episodeve.
“Running Point” është gjëja më interesante sa i përket basketbollit amerikan që nga sezoni debutues i Caitlin Clark në WNBA verën e kaluar. Goxha premtues, i lehtë, me karaktere të lezetshme, dhe Kate Hudson në rolin kryesor. Nota personale: 4/5

