A ka ma mirë se të punojë dikush e ju të shijoni jetën?
Çka nëse ky dikush jeni ju, por jeni të “këputur” nga ajo pjesë, e kështu ndani jetën private në shtëpi nga ajo në punë!
Është si një kufi i padukshëm që le punën te pragu i saj, dhe praktikisht jeni të ndarë në dy botë që nuk njohin njëra-tjetrën.
Kështu, një ditë, pasi ka kryer këtë “këputje”, Helli zgjohet në tryezën e punës, pa kujtesë se kush a çka është, e mbyllur në sallë. Pas pak, atë e merr në pyetje Marku, në të cilat pyetje ajo ka vetëm një përgjigje, me katra që përfundojnë me “nuk e di” dhe këto janë më të saktat.
Në nëntë episodet e serisë, Marku, Helli, Dilani, dhe Irvingu do të provojnë të zbulojnë qëllimin e punës – vetëm shikojnë numra në ekran të cilët ndryshojnë madhësinë, marrin shpërblime e dënime të çuditshme nga Seth e Harmoni, dhe jeta e tyre është e ngujuar në një dhomë pa dritare, me korridore të mbyllura, duke e bërë një ambient goxha shqetësues për neve si shikues.
Ky ambient e ka bërë këtë seri të jetë njëra ndër më të vështirat për ta shikuar për shkak të tensionit psikik që shkakton më shumë ambient dhe natyra abnormale, përkundër momenteve të rralla nga bota e jashtme ku marrim një peizazh të shkurtër të jetës së këtyre karaktereve, apo më mirë thënë “gjysmës” tjetër të tyre.
Adam Scott vjen në rol kryesor, me John Turturro, Christopher Walken, e Patricia Arquette nga emrat tjerë pak më të njohur për mua, ndonëse janë Zach Cherry, Britt Lower, e Tramell Tillman që kanë më së shumti hapësirë në rolet kryesore bashkë me Scott e Turturro.
Është seri e veçantë, ndryshe nga çdo gjë që keni parë, dhe goxha e llahtarshme në mënyrën e saj – më e rëndë se horrori e skenat e luftës. Është një pamje e zymtë mbi një të ardhme të frikshme, dhe sigurisht e papërshtatshme për ata me psikikë jo aq stabile në këto tema. E them këtë nisur nga vetja. Nota personale: 4/5

