A shkon psikologu juaj te psikologu? Varësisht se sa ngarkesë zbrazni ju, edhe ai ashiqare do të duhet të zbrazet diku, apo jo?

Të gjesh psikolog të mirë është ma zor se të gjesh nuse!

Kjo nga fakti që ai, ose ajo, do të dijë sekretet që as familja jonë nuk i di, e që në shumë raste mund të jetë ndër arsyet kryesore pse shkojmë te psikologu.

Një problem tjetër ka Xhimi (Marshalli i HIMYM), i cili vetë është psikolog në një klinikë të cilën e ndanë me kolegët – Gabi dhe Poll.

Xhimit i ka vdekur gruaja, dhe që nga atëherë ai nuk ka arritur të marrë veten, derisa e bija e tyre kryesisht mbështetet në fqinjën, Lizën.

Është një rreth karakteresh të ngrohta, të dashura, dhe mbi të gjitha të sinqerta ndërmjet vete që të bën t’i duash që të gjithë, pa përjashtime.

Seria është krijuar për televizion nga Roj Kent i Ted Lasso bashkë me njërin nga producentët e Ted Lasso, dhe Jason Segel. Ngjashmëria pos në afërsinë e karaktereve vërehet edhe në intron që është e ngjashme me të Ted Lasso, veçse ndoshta edhe më e ëmbël.

Në sezonin e parë prej dhjetë episodeve, ngjarja zhytet në historinë e secilit karakter, e mbi të gjitha historia e Pollit, i cili portretizohet nga i njohuri Harrison Ford, i cili është një psikolog ‘klasik’ që shpeshherë përdor terme të gjeneratave të reja pa e pasur idenë se çfarë thonë, derisa provon të përshtatet me ta.

Janë lidhje të çuditshme miqësore mes karaktereve, të cilat mbijetojnë përkundër dallimeve të mëdha që kanë, por që për dallim prej jetës reale mbështeten në atë që na këshillojnë psikologët – të shprehim veten, sinqerisht, duke përqafuar emocionet.

E ky sezon i Shrinking vërtet ka përçuar emocione pozitive, duke më lënë në pritje të kemi edhe më shumë nga sezoni tjetër që veçse është i porositur. Nota personale: 5/5