Krejt kemi nevojë për psikolog, veçse dallohemi nga ne që e dimë që kemi nevojë, dhe ata që nuk e dinë këtë dhe na bënë neve tjerëve të kemi edhe më shumë nevojë për psikolog!
Sezoni i dytë i “Shrinking” vetëm sa thellohet në temën e sezonit të parë, duke kaluar më tej në “realitetin e hidhur” të jetës që pa dyshim i prek edhe tre psikologët tanë në rolet kryesore, të cilët vijnë nga sfera të ndryshme të jetës, me karaktere e edhe gjenerata që ndikojnë edhe në qasjen e tyre në punën profesionale.
Tash, e dimë nga sezoni i parë që Xhimi provon të kthejë jetën në binarë pas tragjedisë që i ndodhi atij dhe së bijës, e cila ka një qasje ndryshe në këtë drejtim. Përballja me dorasin e tragjedisë së tyre vë në lajthitje babë e bijë që është edhe ndër temat e këtij sezoni, e që prek edhe jetën e Pollit e Gabit, krahas edhe problemeve tjera që përballen në këtë sezon.
E sigurisht, ngjarja kalon edhe te karakteret dytësore problemet e të cilave përmbledhin një gamë të gjerë të problemeve nëpër të cilat kalojnë çiftet e familjet nëpër stade të ndryshme të jetës.
Dhe kjo e bën “Shrinking” ndër seritë më të mira aktuale, e cila sjellë vuajtjet e një grupi miqsh, me tre psikologë të cilët supozohet se kanë gjithçka të zgjedhur, por që dëshmojnë të kundërtën, por megjithatë gjejnë një balancë me jetën duke e bërë këtë një komedi të këndshme e të ngrohtë që është gjëja më e afërt me “Ted Lasso.”
Mund të themi që është një version më serioz e më “përtokë” i Ted Lassos, me karaktere që është zor t’i klasifikosh në kryesore e dytësore, dhe me secilin prej tyre mund të gjesh diçka që të lidhë në një mënyrë a tjetrën!
Janë të rralla sezonet e dyta që kalojnë sezonin e parë, dhe ky sezon i “Shrinking” bën këtë për shumëfish, duke e ngritur në një nivel superior. Nota personale: 5/5

