Në një silos nëntokësor prej 144 kateve, një inxhiniere fillon të dyshojë gjithçka që e ka menduar si të vërtetë absolute.

Xhulieta punon në gjeneratorët e niveleve më të ulëta në këtë ‘tunel’ vertikal nëntokësor, duke u kujdesur që mbi 10 mijë banorë të kenë një jetë të ‘rehatshme’ pas shkatërrimit të sipërfaqes së tokës që tash është e helmueshme.

Të pabindurit ndaj sistemit, dhe ata që me vet dëshirë kërkojnë largimi nga ky silos, shikohen nëpërmjet një dritareje në formë kinemaje derisa hedhin hapat e tyre drejt lirisë, e cila në fakt është vdekja. Ose së paku kështu supozohet.

Hollstoni është sherifi i silosit, dhe burri i Allison, e cila fillon të dyshojë në krejt sistemin kur provojnë të marrin leje për të bërë fëmijë. Në gjurmët e këtyre dikur përfundon edhe Xhulieta, e cila fillon të trazojë ‘paqen’ e shoqërisë së ngujuar, kur fillon të kërkojë përgjigje nga udhëheqësit e silosit.

A ka jetë jashtë, apo njëmend të gjithë vdesin qysh në hapat e parë – në transmetim direkt për banorët brenda, është misteri që na mban të lidhur për hjetë episode të sezonit të parë.

Kam pasur frikë se mund të mos marrim përgjigje të mjaftueshme në fund të sezonit të parë, por fundi ka qenë i kënaqshëm, duke lënë hapësirë edhe për sezonin e dytë, tashmë të porositur.

Pos misterit, kasta e aktorëve është mbresëlënëse.

Rebecca Ferguson luan rolin kryesor të Xhulietës; David Oyelowo e Rashida Jones janë Hollston e Allison; Common është karakteri kryesor negativ; Tim Robbins është kreu i silosit me një rol pak më neutral.

Rol të rëndësishëm në krejt historinë e sezonit të parë ka edhe aktori Iain Glen që luan rolin e babait të Xhulietës, një mjek obstetrik, ndonëse lidhja babë e bijë nuk është e afërt, misteri do të ndryshojë për të mirë a të keqe këtë.

Ka raste, episode kur duket që po ecën ngadalë, dhe besoj që me nja dy episode ma pak do të ishte një sezon i parë edhe më i mirë, por prapë nuk dëshpëron. Të shohim çka do të ndodhë në të dytin. Nota personale: 4/5