E shkruaj me spoilera, ndonëse nuk ka çka të “prishet” në këtë sezon të dytë të “Silo”-s. Së paku jo në tetë episodet e para.
Mund të fajësoj pritjet e mia në këtë – mezi prisja të shihja se çfarë ndodhte jashtë në botë, por producentët kishin një ide tjetër.
Të shkojmë nga një silo, në një tjetër silo, e kështu me radhë.
E ndarë në dy ambiente – mbijetesa e Xhulietës, misteri i Solos, e pastaj shpërndarja në silo tjera, në njërën anë do të duhej të ishte ajo që do të duhej të na interesonte më shumë, por aq ngadalë, aq mërzitshëm ecte sa kishte raste ku me qejf do të kaloja një pjesë të madhe të episodit për të arritur te finalja.
Rrjedhimisht në ambientin tjetër – në silon “themelore” gjërat bëheshin më interesante me përgatitjet për puç dhe manovrimet e Bernardit për të mbajtur nën kontroll popullatën.
Në fund, gjërat ndryshuan, për një finale që përkundër se ishte sensacionale nuk arrin të mbulojë kotësinë e një sezoni nën mesatare. E shto kësaj edhe fundin që lë shumë për të komentuar, me mundësinë për të shkuar mbrapa në kohë për shumë vite në sezonin e tretë, apo edhe një “kohështrirje” shtesë, atëherë kënaqësia bie edhe më shumë.
Tash duhet të presim edhe dy vite, ndoshta më shumë, për të arritur në finalen e serisë, e që ndoshta do të ishte ide më e mirë që të lexoja librat dhe mos të lodhesha me këtë.
Sezon dëshpërues, të cilin mund ta shikoni me 2x shpejtësi, pos episodit të parë dhe finales. Nota personale: 2/5

