Secila gjeneratë rikujton me ëndje fëmijërinë e saj, sidomos kur e krahason me aktualen. Prindërit tanë, për çudi, nuk e lakmonin të veten pasi ajo në të cilën po rriteshim ne fëmijët e të 90tave ishte goxha më e mirë se që e kishin pasur 30 vite më parë.
Filma të vizatuar, programe fëmijësh me pedagogë si këshillues e producentë kontrollonin produktin final para se të konsumohej.
Për ironi, ne nuk e lakmojmë krejt këtë teknologji të zhvilluar, pasi e keni parë çfarë shikojnë fëmijët?
Lëre të shikojnë, krejt po provojnë të bëhen “influencera” e yje interneti me videot e tyre!
Tash, i jep fëmijës telefonin edhe prej YouTube kids e sheh se ka kaluar në TikTok dhe po bën live video tu lyp coinsa!
Duke qenë filmi i parë i animuar i metrazhit të gjatë dhe i prodhuar në Amerikë, “Snow White and the Seven Dwarves” është film revolucionar, i cili sado që ribëhet, në çfarëdo formati, kurrë nuk tejkalohet për nga cilësia e dedikimi.
Bazuar në përrallën e vëllezërve Grim, Borëbardha është një vajzë e cila jeton me njerkën zemërgur, e cila xhelozon bukurinë e saj deri në atë masë sa vendosë ta heq qafe.
Historinë e saj e dimë të gjithë, filmin e kemi parë ndoshta të gjithë, pos kësaj gjeneratës së fundit e cila merret me disa gjëra të pakuptimta që nuk dyshoj se po i bëjnë budallenj fëmijët që po rritni!
Pos nëse jeni nga ata prindër që si një shoqe e imja, kohën e pushimit mjekësor në shtëpi e ka kaluar duke rivizituar të gjithë filmat klasik për fëmijë që edhe vetë thoshte se janë disa nga ditët më të mira të jetës së saj!
T’i tregosh fëmijëve përralla, e të shikosh filma e video kualitative me ta është ekselencë prindërore! E klasikët e Disney janë shumë, shumë më të mirë se videot që shfaqen tash.
E hapat e parë në botën e filmit, një fëmije, pasi i tregon përrallat që ta zhvillojë imagjinatën e tij, vijnë me klasikët, nisur nga ky film. Nota personale: 5/5

