Nga në shtrat me Sadamin, tash në shtrat me Trumpin!
Nga filmi i tyre i parë, recensimi i të cilit vjen dikur javën tjetër, kur shejtani ishte në shtrat me Sadamin, Trey Parker e Matt Stone, e vendosën presidentin e tashëm amerikan, laureatin për paqe, Donald Trump në shtrat me shejtanin!
Episodi i parë ishte ai që bëri bujë nëpër mediat amerikane, duke ngritur edhe reagimin nga Shtëpia e Bardhë, por kjo si gjithmonë nuk preki asnjërin nga kreatorët e serisë, të cilët nuk kanë lënë temë e person pa prekur!
Ky sezon fillon me politikë, por nuk mbetet vetëm aty, duke kaluar tek satira dhe thumbimi i të gjitha gjërave aktuale të marra, të cilat si gjithmonë janë temë e serisë.
Nga ICE, te tarifat, shakatë me aplikacionet për parashikime (i cili episod pati një fund fantastik), te episodi për Charlie Kirk që erdhi në një kohë të papërshtatshme me vrasjen e tij, six-seven, AI deepfake, te ndërtimet në Shtëpinë e Bardhë, e te finalja që përmblodhi gjithçka që dukej e pakuptimtë nëpër krejt sezonin, apo më mirë të themi, sezonet, ishte nivel superior i South Park.
Sigurisht, disa episode, sidomos ajo me Cartmanin në pjesën e dytë, apo siç po e quajnë sezonin 28, mund të mos ketë qenë diçka interesante, por prapë, kështu është “South Park.”
Në fakt, nëse ka diçka që e bën Amerikën e të madhe, siç lavdërohen amerikanët, është “South Park,” dhe liria që ka për të trajtuar tema të tilla, për të paraqitur presidentin e vendit lakuriç duke bërë shaka me madhësinë e gjenitaleve të tija, por mbi të gjitha është kreativiteti që kanë Matt Stone dhe Trey Parker.
E vetmja gjë negative për këto dy sezone ka qenë pritja dy-tri javësh ndërmjet episodeve, por kur trajtonin temat aktuale, disi kjo pritje arsyetonte veten. Nota personale: 5/5

