Shumë gjëra mund të zbuloni me shijen e dikujt në artin që preferon e adhuron, sidomos në serialet, e prodhimet tjera vizuale.
Seria nis me një baba që provon të fitojë bukën e gojës si është më së lehti. Edhe kur kjo nuk funksionon, ai pranon t’i shesë shpirtin djallit me shpresën që do të jetë më i mirë se 455 kundërshtarë tjerë e të fitojë 35 milion euro.
Pjesa fillestare, para transportimit për në ishull, shërben si parathënie për atë që do të ndodhë, disa paralele që në të njëjtin moment ti je edhe lodër edhe lojtar, veçse në fusha të ndryshme, të përcaktuara falë mishërimit të teorisë së evolucionit dhe kapitalizmit.
Atë që e bën para ishullit Seong, atë ia bëjnë në ishull atij.
Në plan të parë, seria provon të nxjerrë atë egërsinë që e kanë njerëzit në vete, në gatishmërinë për të bërë çmos që të fitojnë paratë, egërsi që arsyetohet në një mënyrë me borxhet që ata kanë, për të cilat fajtore është shoqëria që i ka shtyrë të marrin vendime të ndryshme.
Prandaj, ashiqare, kjo seri fle në shumëkënd që mund ta arsyetojë “egërsinë” e tyre me fjalinë madhore shqiptare “krejt qashtu”, pa marrë parasysh a është lojtar apo lodër, në një moment a tjetër në jetën e tyre.
Dhe kjo kulmon me fundin e sezonit, si një shpagim për krejt egërsinë, me idenë që pendimi i vonshëm është më i mirë se mospendimi!
Shumë analizë psikologjike që nuk u shkon për qejfi shumicës?
Punë e madhe!
Si seri, #SquidGame përmbushë ato pjesë teknike e artistike që i duhet për të nxjerrë emocionet e nevojshme te shikuesi gjatë zbërthimit të idesë mbi të cilën ndërtohet krejt historia e serisë.
Jeni në tension, jeni në pritje se çfarë do të ndodhë, si do të shpëtojnë nga kjo lojë e nga ajo tjetra, kur kush do të shkojë, a do të kalojë nga ajo anë në këtë tjetrën, dhe më kryesorja, cili nga karakteret tuaja të preferuara do mbetet në fund.
Pra, edhe ne jemi pjesë e ‘Squid Game’, duke provuar të bindim veten se cili karakter jemi të gatshëm ta sakrifikojmë në cilën pikë të lojës, dhe të përqafojmë fituesin. Koncepti, realizimi, është fantastik. Glorifikimi dhe mania pas serisë është e pakuptueshme, për më tepër, e rrezikshme. Nota personale: 5/5
