Në Barakën 4 të kampit e të burgosurve të luftës Stalag 17, dy të burgosur, Manfredi dhe Xhonson përgatiten për arratisje. Me të shijuar lirinë momentale, që të dy vriten nga ushtarët gjermanë.
Kjo nuk është hera e parë që arratisjet nga kjo barakë përfundojnë tragjikisht.
Për këto tragjedi ka një dyshuar. Ai është Seftoni, i cili haptazi bashkëpunon me gjermanët duke shkëmbyer gjëra që ju nevojiten të dy palëve, dhe nuk e ka ndërmend arratisjen. Kjo e bën edhe ndër më të padëshiruarin në mesin e tyre.
Por, ai e mohon të jetë informatori i gjermanëve duke shtyrë krejt barakën të kërkojnë armikun e vërtetë që gjendet në mesin e tyre.
Nën regji të Billy Wilder, i cili si gjithmonë bën një rrëfim fantastik, filmi pos të mirëve dhe të këqijve, na sjell edhe një të ligë të infiltruar në mesin e të mirëve, duke e mbushur filmin me mister dhe triler. Kjo e bën filmin aq legjendar sa është.
E kjo kalon në një nivel edhe më madhështor marr parasysh që ngjarja zhvillohet pothuajse krejt brenda një barake, ku momentet e hareshme e shakatë nuk mungojnë edhe derisa kërkohet informatori e të gjithë janë të kërcënuar me vdekje që mund të jetë në fund të tunelit.
William Holden në rolin kryesor, të Seftonit, është fantastik, e në rolet tjera, po aq të rëndësishme vijnë edhe Don Taylor, Otto Preminger, Peter Graves, e sidomos për mua, Harvey Lembeck.
“Stalag 17” mbetet njëri ndër filmat më të mirë që kam parë, ndoshta më i miri me zhanër luftën, për shkak të misterit, minimalizmit, dhe aktrimit fantastik me një skenar mjeshtëror. Nota personale: 5/5
