Çfarë fundi!
Fjalët janë të kota për të përshkruar madhështinë e sezonit të katërt të ‘Succession.’
Intriga, politikë, lojë psikike, inate familjare, dashuri edhe më shumë urrejtje familjare, gjithçka.
Llogani vazhdon kundër fëmijëve, duke pritur që njëri nga ata të dorëzohet e t’i bashkohet atij. Ndërkohë tre fëmijët vazhdojnë planet kundër babës, e i katërti si një megaloman mendon që mund të bëhet president veç pse ka pare.
Ngjashëm edhe Kendalli mendon që i takon gjithçka pse është ‘ma i madhi’, ashtu si Shiv që mendon se mund të luajë me Tomin. Në krejt këtë tollovi, nuk e di “qeni të zotin,” e nuk e dallon armikun me mikun. Dhe kjo është çka e bën krejt serinë, sidomos sezonin e katërt të veçantë.
Të njëjtat intriga ndodhin edhe te GoJo, me ekipin e Lukasit, të cilët gjithashtu duket të kenë pikat e tyre të dobëta.
Derisa vazhdon kjo luftë e ftohtë ndërmjet Loganit e fëmijëve për të ardhmen e firmës, plaku vdes. Papritur, në aeroplan, që na bën të gjithëve të mendojmë se është një lojë e tij. Edhe nuk është as episodi i parafundit, as i fundit.
Qysh do të përfundojë seria pa Loganin, karakterin kryesor të serisë?
Pak e kemi menduar se vetëm atëherë do të fillojë të “nxehet” lufta!
Pa patriarkun e familjes, pasardhësit bëhen ujq ndaj njëri-tjetrit. Kush kujt do t’i besojë, deri kur, për sa asete, për çfarë Chief-….?
Dhe aty janë Tomi e Gregu, karakteret dytësore që mund të marrin gjithçka në dorë. Ndonëse nga fillimi kam pasur Gregun si fitimtarin më të madh, nuk mund të them që nuk më ka kënaqur “fitorja” e Tomit.
Fund i përkryer, nënshkrimi, fotografia, deri te hipja në veturë!
Çfarë aktrimi nga Jeremy Strong, Kieran Culkin, e Sarah Snook. Treshja fantastike! Nga fillimi, kuzhina, bregdeti, deri te momentet para votimit. Fundi i Shiv, fjalimi i Romulus, edhe pranimi i humbjes nga Kendall. Të shkëlqyeshëm si karaktere, të jashtëzakonshëm si aktorë.
Brian Cox me rolin e jetës, Matthew Macfadyen e Nicholas Braun në rolin e një shoqërie më të veçantë në seriale së fundmi, dhe Alan Ruck në rolin e djalit që ka një botë në vete.
Dhe pastaj, Jesse Armstrong! Nota personale: 5/5

