Summer with Monika (1953)

Summer with Monika (1953)

Çka dinë fmija çka osht dashnija?

Për dallim prej filmave pasues të Ingmar Bergmanit që më shumë përqendrohen në filozofinë e jetës, ky adaptim i një novele suedeze bashkë me autorin e novelës si skenarist sjell një histori pak më ndryshe, pak më të thjeshtë në plan të parë, e që përqendrohet më shumë në aspektin vizual.

Filmi ka disa skena goxha magjepsëse të natyrës. Janë çaste, të shkurtra, si rrjet merimangash, kënetë, shkëmbinj, e edhe varkë në liqe, që vijnë nga një kënd i bukur që jo medoemos ka karakteret, apo edhe ndonjë ndërlidhje me historinë.

Shpesh mund të shërbejë si një intermeco nga tema e filmit.

Filmi tregon për verën e Herrit me Monikën, që të dy të rinj të ngujuar në “robërinë e shoqërisë” me punë të kotë, familje që nuk i do, dhe një të ardhme që merr formën nga filmat që shohin.

Një ditë ata dy vendosin t’ia mbathin nga kjo jetë dhe të shijojnë dashurinë dhe jetën që kanë ëndërruar.

Si çdo fillim, edhe kjo jetë ka të bukurën dhe pasionin e saj, por shpejt gjërat fillojnë të marrin teposhtëzën, dhe të dy duhet të përballen me realitetin.

Filmi është pak më i gjatë se kryeveprat e Bergmanit, karakteret si dy rebelë adoleshentë (Harriet Anderson dhe Lars Ekborg), nuk janë aq të dashura, jo për mua së paku, e krejt historia disi është e thjeshtë, normale, krahasuar me thellësinë që hasim në filmat pasues të Bergmanit.

“Summer with Monika,” është më ndryshe se filmat tjetër të Ingmar Bergman, dhe për fansat e tij të flaktë, mund të jetë një arratisje nga filozofia, thellësia, dhe sidomos zymtësia e filmave të tij, por jo diçka e veçantë. Nota personale: 3/5