Superman (2025)

Superman (2025)

Supermenin kurrë nuk e kemi pasur më afër!

Edhe fizikisht, edhe shpirtërisht, si në film ashtu edhe matanë murit të katërt!

E para është falë regjisë së James Gunn, i cili me anë të kapjes së tij të veçantë të skenave e sjell nga afër Supermenin, fytyrën e tij, duke ndjekur lëvizjet e tija me ritëm të luftës së vërtetë që na bën të ndihemi pjesë e aksionit, nga afërsia!

Shpirtërisht, Supermeni është në krahë të një populli të shtypur, e që shumica e kanë ndërlidhur me gjenocidin e sotëm në Gaza, ndonëse puna në film ka filluar më shumë se një vit nga përshkallëzimi i konfliktit. Mbi të gjitha, fakti që Supermeni vë të gjithë kundër për shkak të një popullsie të pambrojtur, e bën atë të jetë më i afërt me njerëzit.

Më parë, zakonisht e kemi pasur duke luftuar një të lig e njerëzimi kanë qenë të mbrojtur në mënyrë indirekte.

Por, më e mira e krejt këtij filmi është që nuk bazohet vetëm në luftëra, rrahje, duele me të keqen, shpëtim. Në këtë film, kemi një Supermen që nuk fsheh identitetin së paku nga Lois, bashkëpunëtorja e tij.

Për më tepër, është një skenë goxha e gjatë, dhe e mirë, e një dialogu mes këtyre dyve sa që e bën Loisën të kontestojë personalitetin e Supermenit dhe Klarkut, gjersa punon për një intervistë më “ndryshe.”

Te ky film kemi të gjitha që e bëjnë DCU-në të veçantë, të pjekur, serioz, më të thellë. Është një abetare e këtij universi, dhe kjo është falë punës së mrekullueshme të James Gunn, i cili vetë bën edhe regjinë, edhe skenarin.

Në rolin kryesor vjen David Corenswet me Rachel Brosnahan që luan Luizën, a Lois! Nicholas Hoult vjen në rolin e Leks Luthor, derisa pjesa më e këndshme e filmit janë treshja e heronjve tjerë – Nathan Fillion, Isablea Merced, e Edi Gathegi. E mbi të gjitha është Anthony Carrigan, qeli më i mirë në TV e film.

Kjo periudha e re e DCU-së me James Gunn, pas sezonit të parë të Peacemaker, edhe në film ka hedhur hapat e duhur. Kjo na jep shpresë për një fazë mirë të zhvilluar të disa prej karaktereve më të mëdha në botën e stripave.

“Supermeni” i Gunn është një rikthim në origjinë, pa provuar të adaptohet me audiencën e duke i mbetur besnik fanbazës. Dhe pastaj aty është Krypto. Nota personale: 5/5