Të paktë janë filmat që tejkalojnë cilësinë e të parit, por gjithmonë mbesin në kujtesë kur kjo ndodh.
Kështu është edhe me Superman II, i cili që nga fillimi arrin të krijojë një temë të përshtatshme dhe që lidhet me filmin e parë, e shtjellimi i kësaj historie bëhet për merak duke të mbajtur të lidhur me filmin deri në fund.
Ndërkohë, janë disa kthesa të papritura, që pos fuqisë kriptoniane shfaqin edhe zgjuarsinë e Supermenit, i cili tash në jetën personale si Kllark Kent duhet të përballet edhe me dyshimet e Lois Llejn, e cila e ka një bindje që Kllarku është Supermeni.
Është një akt që lidhet me këtë mosbesim të saj që e bën filmin të duket sikur goxha mirë i shkruar. Por, derisa pjesa “normale” e Kllarkut dhe Loisit, mund të mërzisë dikë, është ajo historia paralele e tre ish-bashkëbanorëve të Supermenit në Kripton, të cilët pahiri “bien” në Tokë, dhe fillojnë të kërkojnë “shefin.”
E në krejt këtë, kemi edhe Leks Luthorin, tash i burgosur, i cili kërkon medoemos të hakmerret ndaj Supermenit, por që për momentin është një mision i pamundur për të.
Krejt këto histori përfshihen bukur në film falë një editimi të zgjuar që di të lidhë skenat duke të mbajtur vazhdimisht të lidhur me filmin, e që sot është goxha një problem tek gjeneratat e reja.
Aktrimi është në nivel, edhe nga prurjet e reja, e fatkeqësisht, aktorja që portretizon Lois mbetet antipatike për mua edhe kësaj radhe. Gene Hackman është i pashoq, e edhe Christopher Reeve arrin të aktrojë të dy karakteret goxha mirë.
Mund të jetë edhe filmi më i mirë në krejt historinë e filmave për Supermenin. Nota personale: 5/5

