Thojshin deri në 25 vjet martohesh vetë, masanej deri në 30 vjet të martojnë kojshi, mas 30 vjete metesh te shpija!
Kur t’i bojsh 30 vjet, provon aplikacionet, edhe prej tinder, dua, bumpy, boo, ma e mira del të jetë Bumble, për shkak të seriozitetit të çikave që janë aty, dhe mundësisë për të zgjedhur ato!
Në dy nga aplikacionet e mësipërme gisht ka pasur Whitney Wolfe Herd, rreth së cilës bëhet filmi, por e cila nuk është konsultuar e nuk është në asnjë mënyrë pjesë e këtij filmim, për shkak të çështjeve ligjore.
Rolin e saj e luan Lily James, e cila si një vajzë që dëshiron të ketë jetë të suksesshme biznesi, fillon të jetë pjesë e një startupi, dhe njëra ndër themelueset e Tinder.
Me rritjen e kompanisë, dhe përfshirjen në romancë me njërin nga bashkëthemeluesit e saj, Uitni fillon të mbetet në plan të dytë, në një rreth e lidhje dhunuese psikike. Nga njëra prej mendjeve kryesore në aplikacionin që do të duhej të gëzonte njerëzit, ajo mbetet në një pozitë krejt të kundërt me atë që dëshiron të ofrojë për njerëzit!
Është njëri ndër rolet më të mira të Lily James së fundmi, duke e vendosur në mes të historisë, për një karakter jo aq të lehtë për t’u portretizuar nëpër periudha të ndryshme të jetës dhe emocioneve.
Përkrah saj vijnë Ben Schnetzer, Jackson White, dhe Dan Stevens, në rolet tjera që mund të konsiderohen dytësore, derisa regjinë dhe pjesë e skenaristëve është Rachel Lee Goldenberg, e njohur për filma të ngjashëm, por jo aq të sukesshëm.
Filmi sjell një histori interesante, pak shqetësuese, se si është të jesh grua në botën e startupëve, si dhe kulturën mashkullore në këtë ambient. Aktrimi i Lily James është i shkëlqyeshëm. Nota personale: 4/5

