Të rrallë janë filmat që ia kalojnë filmit të parë, e nëse ia dalin këtë, atëherë zakonisht filmat pasues vetëm sa shkojnë duke u përmirësuar. Por, te Terminatori, është dyshi larg mbi njëshin, e tjerët janë thjesht tentim për të nxjerrë ndonjë pare!
Pas ngjarjeve në të parin, ku një, robot po e quaj, cyborg termi zyrtar, vjen për të vrarë nënën e atij që do t’i luftonte robotët në të ardhmen dhe për të shmangur ditën e gjykimit, te i dyti e kemi mu këtë ngjarje, por përsëri në të kaluarën e së ardhmes, e për ne të tashmen, ku në vend të nënës tash ndiqet i biri, e që në fakt është liderit të rezistencës kundër robotëve në ditën e gjykimit.
E komplikuar, apo jo?
Historia nuk është e domosdoshme për të shijuar këtë film, e as filmi i parë, apo filmat pasues.
Filmi në vete është kryevepër.
Ka eksplodime, përndjekje, të shtëna, rrahje, aksion, dhe krejt këto vijnë në mënyrë artistike në atë që e bën James Cameronin atë që ka qenë gjithmonë – një regjisor e skenarist që di të ngjyros parajsë në ekranin e madh.
Ndonëse gjithmonë ka shpenzuar me të madhe, e së fundmi edhe është “humbur” pak në teknologji, disi duke e tepruar.
Asgjë e tepërt nuk është te Terminator 2shi – ka momente interesante, legjendare, skena të pashlyeshme nga kujtesa, të cilat japin emocione të njëjta sa herë që i shohim.
Arnold Schwarzenegger vjen në rolin e karrierës së tij, por edhe më i mirë është Robert Patrick në rolin e T-1000. Skenat e tyre janë ato që e bëjnë këtë film të paharrueshëm, dhe aq mirë përshtaten në anë të kundërta, është e papërshkrueshme.
Terminator 2 është ndër filmat më të mirë aksion të bërë ndonjëherë. I kompletuar. Nota personale: 5/5

