Kur prek “portalin” për udhëtim nëpër kohë, atëherë i hap vetes mundësi të panumërta për të shtjelluar në film e seriale.
Këtë avantazh e ka edhe Terminatori, dhe mund të bëjnë filma të panumërt, ashtu si po bën Marvel me “multiverssin.”
Por, krejt kjo dikur bëhet e kotë, dhe njerëzit lodhen.
Kjo nuk ndodh te vazhdimi i tretë i Terminatorit, dhe suksesi i atëhershëm duhet të jetë për shkak të temës që kap një gjeneratë të re, por me rrënjë në dy filmat e parë, dhe hapësira prej 13 vitesh prej filmit paraprak.
Te “Ngritja e makinave,” ngjarja fillon në një ambient utopik me Xhon Konor i cili ka jetuar si nomad dhe tregon për gjithçka që ka ndodhur ndërkohë. I pavetëdijshëm që jo gjithçka ka përfunduar, Xhoni nuk e di që pas tij është një T-X, që niset me një mision më të gjerë pos vrasjes së tij – të vret edhe pjesëtarët e tjerë të rezistencës, përfshirë gruan e tij të ardhshme.
Kundër kësaj, për çudinë e Xhonit, vjen Terminatori, e që si gjithmonë është i përkryer Arnold Schwarzenneger. Nick Stahl vjen në rolin e Xhonit, Claire Danes si Kejt, e Kristanna Loken si T-X.
Misioni këtu gjen pak dallime prej filmave tjerë, e edhe përballjet provojnë të jenë më të veçanta, e edhe janë ndoshta në disa raste.
Ngjarja zhvillohet interesant, nuk është e kotë, ndërtohet mirë, dhe ecën drejt një caku të panjohur për neve si shikues.
Është film i mirë, dhe ndoshta do të duhej të ishte finalja e përkryer e Terminatorit. Nuk është në nivel të dy të parëve, por nuk zhvlerëson ata dhe është një vazhdim i denjë. Nota personale: 3/5

