Ata që kqyrin futboll e dinë që kur të mbledhësh më të mirët e atij zanati, zakonisht bëhet “shumë zhurmë për asgjë.”
Është ajo filozofia e “alfave” e rendit shoqëror që shumë karaktere kryesore nuk mund të mbijetojnë në një ambient, dhe kështu do të duhej të ishte edhe te “The Avengers.”
Por, për të pasur sukses, zakonisht duhet një udhëheqës që di të klasifikojë këta “alfa,” në këtë rast superheronj, t’u gjejë vendin në rrëfimin e filmit, dhe në fund të ketë një produkt që kënaq të gjithë.
Joss Whedon e ka bërë këtë me “The Avengers,” që është njëri ndër filmat më monumental në zhanrin e superheronjve dhe në historinë e Marvel.
Suksesi është i pranishëm në çdonjërën anë të një filmi, si në atë komerciale duke thyer çdo rekord, edhe në atë kreative duke arritur të bëhet një pikë bashkuese dhe njëkohësisht një pikë shpërndarëse në shumë tituj e histori që do të vazhdonin me vite.
Te “The Avengers,” që është edhe burim i shumë memes e gifs goxha të popullarizuar, sidomos nga pjesa finale, kemi superheronjtë e bashkuar për të mbrojtur Nju Jorkun, që edhe ky muhabet është temë e hajgareve, nga një forcë e jashtme, e përkrahur nga Loki.
Ndërkohë, “avengers,” mësojnë një sekret, dhe vihen në lajthitje për të vazhduar misionin e tyre! Kjo pjesë është ndoshta ajo që i jep jetë filmit, duke i vendosur para një paqartësie ekzistenciale.
Aktrimi është fenomenal si pjesa vizuale, e edhe tema e filmit është pak më serioze, diçka e pazakontë për Marvel, por kjo kompensohet me skenat e famshme satirike.
Edhe sot, “The Avengers” mbetet një gala-film që ka shkundur zhanrin, dhe kinematografinë në përgjithësi. Nota personale: 5/5

