Nga momenti i parë kur i dorëzohet forcave të rendit, deri te momenti i fundit që i dorëzohet fatit, aventurat e Reddingtonit janë njëra ndër historitë më së miri të përpunuara në ekran për një dekadë të tërë.
Njëtrajtshëm me zbulimin e listës së kriminelëve, fillojmë të mësojmë më shumë për të kaluarën e Reddingtonit. Me komplikimin e kësaj historie, fillojnë çarjet brena skuadrës, e deri te fillimi i hakmarrjes, dhe shpërbërja e vetë mitit të Raymond Reddington për një finale madhështore.
Finalja, aq e thjeshtë, aq e lehtë, e përkryer për një karakter si Red të cilin nuk ka dorë njeriu që mund ta zinte, edhe nëse do i dëmtonte më të dashurit e tij.
Kur jemi te më të dashurit e tij, largimi i karakterit të Liz nga seria ka qenë ajo që i ka zgjatur jetën serisë për edhe nja 50 episode, gjatë të cilave nuk kam ndier fare mungesën e saj.
Ndoshta ka qenë i vetmi veprim i keq i Bokenkamp duke e tepruar me “devijimin” e karakterit të saj, deri në atë pikë që largimi në fakt duhet të ketë kënaqur shumicën e fansave të serisë.
Me vite, Kesler, Cooper, Sam, e Aram, bashkë me Liz kanë qenë ndër karakteret më të këndshme në TV. Kemi pasur një skuadër që kanë luftuar krimin bashkë me kryekriminelin, i cili njëkohësisht edhe është kujdesur për ta, duke sfiduar neve si shikues me rolin e tij prej antagonisti.
Dhe, arrijmë në atë pikë kur preferojmë Red para Liz.
Mbi të gjithë, Dembe ka qenë karakteri më i dashur për mua, për shkak të devotshmërisë së tij si ndaj një miku edhe më shumë ndaj të drejtës. Dhe trajektorja e këtij karakteri ndoshta ka qenë më e mira prej të gjithëve, ndonëse pas Liz edhe Haroldi është kthyer në një karakter shumë të dashur.
Është e çuditshme, e pabesueshme që një seri të vazhdojë deri në dhjetë sezone sot, por mendoj që një bazë e fansave të devotshëm, në stilin e Dembes, kanë mbajtur këtë seri aty lart në renditjen e Netflix. Dhe për këta fansa, do të mbetet ndër seritë më të mira së fundmi.
James Spader me punën e tij mjeshtërore e ka bërë të pavdekshëm një karakter që do të duhej të vdiste shumë episode më herët. “The Blacklist” do të mbetet ndër seritë më të mira, aty në krye. Nota personale: 5/5

