The Bourne Ultimatum (2007)

The Bourne Ultimatum (2007)

Janë të rralla trilogjitë ku secili film vetëm sa shkon e bëhet më i mirë.

Filmi i dytë për Bornin është aq mirë i ndërtuar mbi të parin sa që dukej e pamundur të tejkalonte filmi pasues këtë proces. Por, Ultimatumi shkëlqen po aq më shumë mbi Supremacinë sa kjo mbi Identitetin.

Këtu ngjarjet fillojnë pak më afër me aty ku kanë mbetur në filmin paraprak, në ikje nga policia e Moskës, ende në kërkim të së vërtetës për të kaluarën e cila i kthehet si imazhe momentale, Borni tash është në kërkim të një gazetari që duket se është i vetmi që di të vërtetën për të kaluarën e tij, jashtë CIA-s.

Në tentim për të komunikuar me Simon Rosin, gazetar të The Guardian i cili shkruan për Bornin dhe Operacionin Blackbriar, Borni ndeshet me ata që provojnë të kapin dy zogj në një aksion!

Krejt ky obsesion i drejtorit Ezra Kramer ka filluar të zgjojë dyshime edhe te Pamela Lendi. Ndërkohë, Borni provon të gjejë një mënyrë për të zbuluar të vërtetën dhe të ekspozojë programin e tij, pavarësisht se nuk është i sigurt çfarë është.

Edhe Pam, sikurse shikuesit, veç sa shkon e fillon të besojë te Borni, që është një ngritje, një progres interesant nga filmi i parë, ku e kishim Bornin të vetëm kundër të gjithëve.

Pos neve, si shikues, kësaj radhe gjërat duket se po lëvizin në anën e duhur, por njëkohësisht edhe tensioni e rëndësia e situatës e rrezikut është shumëfish më e lartë.

Kjo e bën filmin drithërues, të pandalshëm për gati dy orë, duke të bërë të harrosh që je në film, shpeshherë, me filmin që aq shumë të përthith përbrenda sa që shpesh ndihesh si një ekstra në film.

Aktrimi i Matt Damon është si gjithmonë legjendar, e më shumë hapësirë skenike kanë edhe Julia Stiles e Joan Allen, por te antagonistët, David Strathairn bën punë fantastike.

Tony Gilroy me shokë bën punë të mahnitshme në skenar, e edhe më mirë është vepra e Paul Greengrass, i cili si gjithmonë kap momente të përkryera, legjendare, nga skena e parë deri te ajo finale që është një fund i përkryer i trilogjisë. Nota personale: 5/5