Situata aktuale politike në Amerikë mund të thuhet se është e inspiruar nga ngjarjet në sezonin e katërt të “The Boys.”
Si seria më e mirë për “supera” apo tash e tutje “superheronjë” me çdo sezon që kalon vetëm sa shkon e bëhet edhe më e mirë.
Pas fundit të sezonit të tretë që la me pasoja shoqërinë e Kasapit (Butcher) që tentoi të vriste Atdhetarin (Homelander), situata ndryshoi dhe të dyja palët ishin në kërkim të aleatëve të rinj për të arritur synimet e tyre.
Të çarat në të dy taborët – Butcher kundër tjerëve, dhe Starlight kundër Homelander – sado sekrete e të injoruara, bënin një punë që shkonte drejt një finaleje premtuese. Lufta ndërmjet Butcher e Homeland në këtë sezon kalon më shumë në rrafsh personal, derisa për këtë të fundit shkojmë pak më thellë në të kaluarën e tij.
Por, si zakonisht, të priturat tejkalohen shumëfish në çdo sezon e episod të ‘The Boys’ që e bën këtë seri të jashtëzakonshme. Edhe karakteret e reja, sidomos në anën e Homelander, i japin shtytje pozitive serisë këtë sezon, duke e bërë luftën edhe më të çmendur, me momente ekstreme.
Pa dashur të prishim këto momente, ia vlen të theksojmë se skenat që nuk kanë koment e të lënë pa fjalë këtë sezon ishin në nivele shumë më të larta, por, janë “The Boys.”
Është ndër seritë e pakta që nuk të lë të kotesh dhe ka fillim, zhvillim, e fund, me shumë devijime të papërshkrueshme gjatë shtjellimit të historisë të cilat e bëjnë këtë sezon më të mirin dhe ngritin pritjet për sezonin final në një nivel shumë më sipëror. Nota personale: 5/5

