The Fighter (2010)

The Fighter (2010)

Nuk janë të pakta historitë e vëllezërve në sport, dhe kur të vegjlit gjithmonë mbesin disi nën hije e të madhit.

Pos nëse janë vëllezërit Prevc, ku secili del të jetë më i mirë se tjetri, dhe pastaj vjen Nika, motra e vogël, mbi të gjithë!

Nga mjeshtri i filmave me kast të gjerë, David O. Russell, vjen historia e Miki Uord, një boksier që ushtron me vite që të tejkalojë vëllain e tij të madh, Dikin.

Bazuar në histori të vërtetë të kësaj familje irlandeze nga Masaçusetsi, më saktë në Lowell, ku edhe është bërë xhirimi i filmit duke i dhënë një nuancë origjinale historisë, Miki provon të tejkalojë problemet familjare, sidomos nënën e tij komanduese, dhe vëllain e tij, Dikin, me probleme droge të cilat i kanë rrënuar karrierën, për t’ia dalë vetë të bëhet kampion.

Në krejt këtë dramë familjare përfshihet edhe e dashura e Mikit, Sharlina.

I nxitur nga dështimet e tij, Diki provon të jetë një trajner i duhur për Mikin, shpesh duke tejkaluar atë distancën profesionale për t’u përplasur me problemet familjare që kanë.

Kjo harmoni skenike mes Mark Wahlberg në rolin e vëllait të vogël, i cili kishte kërkuar medoemos Christian Bale të luajë rolin e vëllait të madh, e bën këtë film të paharrueshëm. Në një harmoni të tillë, por nga kënde të kundërta vijnë vjehrra dhe nusja, Melissa Leo, e cila pos nënës është edhe menaxhere e Mikit, dhe Amy Adams, në rolin e të dashurës së tij.

Krejt këto përmblidhen për merak nën regji të David O. Russell, i cili do të vazhdonte të bënte filma me shumë karaktere në rolet kryesore, të cilat disi do të gjenin mënyrën për të shkëlqyer, për të vjedhur çdo skenë që u jepet, dhe në fund për të ofruar një film të plotë, pa momente kotësie.

Megjithatë, filmi mbetet i paharrueshëm për aktrimin e Christian Bale, i cili kishte mahnitur të gjithë me transformimin e tij fizik duke humbur mbi 13kg.

“The Fighter” mbetet njëri nga filmat më të mirë që ngërthen në vete dramën familjare me sportin, dhe në krejt këtë mesele ka katër aktorë fantastik, gjithmonë nën udhëheqjen e David O. Russell. Nota personale: 5/5