Katër plaka në një shtëpi në Majami kalojnë vitet e arta të jetës kur shpalljes së Blanshë në gazetë i përgjigjen Roza, dhe Dorothi me nënën e saj, Sofinë, e cila kërkon një strehë, pasi është djegur shtëpia e pleqve.
Duke e njohur Sofinë, nuk është larg mendsh që ajo t’i ketë vënë flakën shtëpisë së pleqve!
Sofia është prej karaktereve ma “djegëse” në seriale që kam parë deri tash. Është arsyeja pse e dua këtë seri me shtatë sezone dhe 180 episode, pasi në pothuajse secilin episod ajo ka “bajate” ndaj të triave, të cilat përqendrohet në stilin e tyre të jetës.
Blanshë, përkundër moshës, është shumë aktive në takime romantike, historitë e të cilave e shtyjnë Sofinë ta ngacmojë si një “e përdalë,” shpesh me fjalitë që i lihen në gjysmë kur Dorothi ia mbyll gojën.
Roza vjen nga një vend në Minesota, me prejardhje vikingësh, historitë e të cilave janë absurde dhe jashtë realitetit, që përfundojnë në ngacmime nga Dorothi, me Sofinë që thjesht i bashkohet Rozës sa për të parë deri ku është limiti i këtyre rrëfimeve të cilat Roza i beson.
Dorothi është më e mençura, një mësuese me orar të përgjysmuar, e cila assesi nuk mund të heq qafe ish-burrin, një qel me parukë, i cili nuk mund të ndalet nga idetë biznesore, dhe të vrapojë pas grave tjera. Shakatë për Dorothin vijnë kryesisht nga nëna e saj dhe prekin dështimet e saja romantike.
E Sofia, na kënaqë me histori nga Italia, të cilat shpesh janë ekstreme, derisa është pre e shakave për moshën e saj.
Larg shakave, ka momente dhe episode shumë emocionale që prekin tema tabu për gratë në atë periudhë – fundi i viteve 1980ta – që e bëjnë “The Golden Girls” të jetë më shumë se një komedi, të jetë një seri revolucionare për gratë dhe çështjet sociale në jetë.
Jeta do t’ju ndryshojë kur të filloni të shikoni këtë seri, sidomos nëse i keni në qejf plakat dhe rrëfimet e tyre. Është i veçantë, i papërsëritshëm. Nota personale: 5/5

