The Green Mile (1999)

Nganjëherë, më duket se krejt kjo jetë është si test që kemi ndaj vetvetes ndaj rrethinës, paragjykimeve, dhe reagimeve tona ndaj gjithçka që na rrethon.

Shumë lehtë jemi paragjykues ndaj gjërave e ngjarjeve të caktuara, kryesisht bazuar në definicionet e gatuara nga tjerat që i konsumojmë pa sfiduar racionalitetin që kanë mbrapa, pa gjetur arsyen pse duhet të urrejmë a duam dikë veç pse na thuhet ashtu.

E sikur të jetë lojë, shumica e mendimeve tona sfidohen nga ngjarjet e veprat më të vogla.

Kështu, gardiani Pol Exhkomb që kujdeset për të dënuarit me vdekje në një burg të quajtur “Milja e gjelbër,” përballet me persona që presin ekzekutimin për vepra që nuk ta merr mendja që do të kenë bërë.

Ndër ta është Xhoni, i cili është një gjigant që dallon për nga pamja nga tjerët në një kohë paragjykimesh racore në Amerikë. Ndonëse në pah ai duket si dikush që do të shtypte gjithçka që i del para, Poli fillon të dyshojë në këtë perceptim fillestar duke sfiduar besimet e veta për sistemin dhe jetën.

Tom Hanks vjen në njërin nga rolet më të mira në jetë, me Michael Clarke Duncan në rolin e Xhonit, për të cilin rol mbetet në historinë e kinematografisë edhe sot.

Është film në regjinë e Frank Darabont i cili ka sjell edhe “The Shawshank Redemption” më parë, ngjashmërinë me realizimin teknik të së cilit, por edhe rrëfimin mund ta vërejmë përgjatë më shumë se tri orëve sa zgjat ky film.

Filmi është i bazuar në librin e Stephen King, veprat e së cilit më bëjnë shumë kureshtar për stilin e jetës dhe aftësinë e tij për të krijuar aq shumë rrethana e histori sa që ka një koleksion goxha të madh të veprave artistike bazuar në librat e tij deri sot.

Është pak i gjatë, goxha emocional, si një test filmi, para se të përballemi me sfida të ngjashme në jetën reale. Nota personale: 5/5