Dashuria e errët që kanë për gruan, shpesh kthen burrat që mbesin të ve, pavetëdijshëm, në baballarë dhunues për fëmijët e tyre, sidomos vajzat.
Nuk është medoemos një dhunë fizike, sa është ngarkesa psikike që i ngarkohet fëmijëve që t’i ngjajnë prindërve, të arrijnë e të kalojnë karakterin që kanë pasur, vetëm e vetëm që të jenë “evlat të hajrit.”
Me këtë ide, Doktor Ostin Slloper provon të ruajë e të ngre imazhin e gruas së tij të ndjerë në të bijën, Katerinën, e cila çfarëdo që bën nuk arrin të marrë aprovimin e të atit.
Kjo situatë vetëm sa tensionohet kur ajo dashurohet në Morrisin, i cili mëson për pasurinë dhe trashëgiminë që do të marrë Katerina. Është kjo pasuri, trashëgimi, që e bën të atin e saj, doktor Ostinin, të dyshojë në qëllimet e Ostinit për të bijën, duke krijuar edhe një çarje në marrëdhënien e tij me të bijën.
Me një regji të William Wyler, filmi sjell dy nga fytyrat më të bukura në kinematografinë e gjysmë-shekullit të parë të XX-të – Olivia de Havilland dhe Montgomery Clift.
Lëre bukurinë, aktrimi i tyre, dialogu, harmonia që kanë është art në vete. Të dy e bartin në shpinë krejt filmin, duke e bërë njërin ndër klasikët më të mirë të asaj dekade, e që përkthehet në katër çmime Oskar, dhe një aktrim të pashoq të Olivia de Havilland.
“The Heiress” është një histori e shkëlqyeshme që mbetet në plan të dytë falë aktrimit të Olivia de Havilland. Nota personale: 5/5

