Duke pritur pasardhësin e “The Blacklist,” nuk morëm as “The Blacklist: Redemption.”

Nga kreatori i serisë së njohur me Redin, Jon Bokenkamp, vitin e kaluar erdhi seria “The Last Frontier,” e cila kishte të gjitha elementet e nevojshme për të qenë një pasardhëse e denjë e historisë së Rej.

Por, pas një starti relativisht të mirë, seria mori teposhtën duke u komplikuar së tepërmi, me karaktere të shumta e të panevojshme, dhe një luftë në të gjitha anët që të bënte të dyshosh në secilin!

Te kjo seri, ngjarja zhvillohet në Alaskë, ku një aeroplan që barte të burgosurit më të rrezikshëm, rrëzohet, duke liruar shumicën e tyre që marrin rrugën drejt shpëtimit nëpër borë.

Ky incident duhet të mbahet i fshehur, dhe për këtë, CIA dërgon një agjente të ndërlidhur me rastin dhe kriminelin më të rrezikshëm – Sidnin, të cilët e aktron Haley Bennett, pa ndonjë përvojë të madhe nëpër ekrane televizive. I dënuari është Havloku, Dominic Cooper, i cili mbetet i panjohur për shumicën për një kohë.

Në krejt këtë ndjekje përfshihet edhe marshalli mbikëqyrës i Alaskës, Frenku, me një të kaluare të komplikuar, dhe një jetë personale/familjare me tragjedi. Ky karakter vjen nga Jason Clarke.

Sezoni i parë, dhe i vetëm, pasi nuk do të kthehet më, ka 10 episode, dhe ndoshta është vetëm për fansat e flaktë të “The Blacklist,” të cilët ashiqare do të zhgënjehen nëse presin nivel të ngjashëm, por ka mistere deri në një nivel, dhe fansat e borës, të cilët s’do të zhgënjehen. Nota personale: 2/5