Ende është veç prilli dhe po bie borë, por është koha për të zgjedhur filmin më të mirë të këtij viti pas vetëm tre muajve!
Deri tash, asnjë nuk është si “The Life List.”
Nën regji të Adam Brooks, i cili i ka zanat këto komedi-romantike e që në këtë rast është më shumë një dramë-familjare, të lehta, të këndshme, për të ndrequr qejfin.
Aleks është një vajzë e re, e cila ka “harruar” të jetojë duke u “pajtuar” me ato që i sjell jeta. Kjo kryesisht për kujdesin ndaj nënës së saj, dhe firmës familjare që kanë.
Nëna e saj, Elizabeta, me frikën që Aleks mund të “humb” veten në gajlet e jetës së të “rriturve,” i lë një sërë videosh dhe kushtesh, për të plotësuar listën që e kishte bërë vetë Aleks kur kishte qenë e re.
Ndonëse në fillim i duket si një “maltretim” shtesë deri te trashëgimia, Aleks rrugës fillon t’i kthehet çiltërsisë fëmijërore, shpirtit të panjollosur nga “rritja,” në kërkim të realizimit së pikës së fundit në listë.
Sofia Carson vjen në rolin e Aleks, që përshtatet me të si një vajzë në kërkim të kuptimit dhe e zhgënjyer nga porosia e fundit e së ëmës. Rolet tjera janë Connie Britton në rolin e Elizabetës, dhe Kyle Allen, në rolin e Bredit, që vjen si avokat mbikëqyrës i përmbushjes së listës.
Ngjason shumë me P.S. I Love You, veçse është një tjetër lidhje familjare, më pak i pikëlluar, dhe në një ambient më urban. Të gjitha këto veç çka e bëjnë më të mirë, dhe ashiqare filmin më të mirë të këtyre tre muajve.
Përfundimisht një klasik. Nota personale: 5/5

