Prej episodit të parë deri te finalja e sezonit të tretë të “The Mandalorian” kemi pasur një zhvillim deduktiv nga Din Xharini e Grogu deri te krejt popullata e Mandalores.

Pas finales madhështore të sezonit të dytë ku më në fund shohim fytyrën e Pedro Pascal, sezoni i tretë përqendrohet te “shpëlarja e mëkatit” të tij, mision në të cilin punë të madhe kryen edhe Bo Katan, e cila mund të themi se bëhet treshe me Xharinin dhe Grogun.

Skena e fundit e sezonit kur Molf Gideon digjet, me Grogun që vendos mburojën për t’i ruajtuar Xharinin dhe Bo Katanen, është art në vete, dhe një fund i përkryer për sezonin dhe ndoshta edhe serinë.

Thuhet se sezoni i katërt është në zhvillim dhe do të vonojë së paku edhe nja 2-3 vite për shkak se filmi pritet të dalë së pari vitin e ardhshëm, por edhe nëse nuk kemi sezon të katërt, mendoj që ky fund është i përshtatshëm për krejt serinë.

E sezoni i tretë na sjellë Grogun më të fuqishëm, e besa edhe më të uritur, me skena që kujdesen për “shtensionim” të situatës, e cila është shumë më e rëndë se në sezonet paraprake.

Besoj që historitë janë gërshetuar mirë, sidomos ajo e Bo-Katan nga planeti i rrënuar në transformimin në një heroinë për krejt mandalorianët. Kjo ka ndihmuar edhe zhvillimin e skories së Mandalorianit, i cili kthehet në themelet e rendit me maskën e tij.

Kate Sackhoff ka kryer punë të mirë për t’u përshtatur me Grogun e Pedro Pascal, por interesante kanë qenë edhe karakteret dytësore të cilat kanë pasur emra si Christopher Lloyd, Tim Meadows, e Jack Black. E të gjithë e dimë se Giancarlo Esposito ka zanat për të sjellë antagonistët në skena.

Më “i zhurmshëm” se dy sezonet paraprake, me më shumë aksion e beteja, sezoni i tretë i “The Mandalorian” me sukses përmbyll historinë e mandalorianëve duke i shtuar universit të Star Wars edhe një detaj goxha mirë të zhvilluar. Nota personale: 5/5