Në vitin 1958, në Njo Jork, një shtëpiake pas një nate që i plas zemrën hip në një skenë dhe filloj të nxjerrë shaka nga jeta e saj e mërzitshme që i bën të gjithë të pranishmit të qeshin, diçka që nuk ia kishte dalë të bënte bashkëshorti i saj më herët gjatë mbrëmjes.
Këtu fillon historia e zonjës Miriam Maisel, e cila i futet një profesioni të jashtëzakonshëm për atë periudhë duke përjetuar ëndrrën e burrit të saj, gjersa kujdeset për dy fëmijët e tyre, dhe provon të balancojë jetën me prindërit dhe vjehrrën e vjehrrin, që të gjithë botë në vete në klasën e lartë të qytetit nga një familje tradicionale çifute.
Aventurat e Maisel do të vazhdojnë për pesë sezone dhe 43 episode që përfshijnë transformimin e saj në një komike që arrin majat e lejuara për një grua, duke e bërë serinë si një pishtar të feminizmit, dhe mbi të gjitha një gruaje, një nëne, e një bije që duhet të kalojë barrierë mbi barrierë për të arritur të bëjë atë që bënë më së miri, e për të cilën gjë ka shumë pak përkrahje.
Si një komedi-dramë periodike, seria ngërthen jetën jo vetëm të Maisel por edhe të karaktereve dytësore, përfshirë edhe ndihmëses së tyre familjare, mësitnit e nënës së saj, flirtin e të atit me komunizëm, aktivitetet ilegale të burrit të saj, e mbi të gjitha jetën e shoqes së saj më të ngushtë, njëkohësisht menaxheres së saj, Suzit.
Aktrimi i Rachel Brosnahan është i mrekullueshëm duke e mishëruar emrin e saj me karakterin e Mrs. Maisel për të cilin do ta njohim gjithmonë. E harmonia skenike që ka me Suzin, Alex Borstein i bën ato një dyshe të “çuditshme” që i jep jetë kësaj seri.
Ndër karakteret më të dashura për mua në këtë seri është ai i Tony Shalhoub që luan babin e Miriamit, i cili në një mënyrë është versioni më i plakur i së bijës duke përjetuar një trajektore të ngjashme me të, veçse në periudhë e sferë tjetër të jetës.
Përfundimisht, krejt kjo kthehet në një dramë familjare me shumë çaste komike, të cilat kryesisht fillojnë ose mbarojnë episodet me një monolog të zonjës Maisel, e që në thelb janë një qasje komike ndaj ngjarjeve të lodhshme të jetës së përditshme.
Më thjesht, është një mësim se si duhet të qeshim më shumë me jetën dhe të papriturat e pahijshme që na ndodhin, se sa të varim buzët e të fajësojmë universin.
Kjo e bën The Marvelous Mrs. Maisel njërën nga komeditë më të mira të dekadës së kaluar. Nota personale: 5/5

